Misioni Artemis 2 ka hyrë në histori, pasi ekuipazhi i tij ka thyer rekordin e distancës më të madhe nga Toka të arritur ndonjëherë nga njerëzit. Në orën 19:57 (ora shqiptare), astronautët arritën në një distancë prej 406.777 kilometrash nga Toka, duke tejkaluar rekordin e vendosur në vitin 1970 nga Apollo 13, që kishte arritur në 400.171 kilometra.
Ekuipazhi i Artemis 2 përbëhet nga komandanti Reid Wiseman, piloti Victor Glover, specialistja e misionit Christina Koch dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen. Ata po kryejnë një fluturim rreth Hënës për qëllime vëzhgimi dhe analize, duke iu afruar sipërfaqes së saj deri në rreth 6.550 kilometra.
Nga kabina e anijes Orion, komandanti Wiseman theksoi rëndësinë historike të momentit:
“Ndërsa kalojmë distancën më të madhe që njeriu ka arritur ndonjëherë nga Toka, e bëjmë këtë për të nderuar përpjekjet e jashtëzakonshme të pararendësve tanë në eksplorimin hapësinor. Do të vazhdojmë udhëtimin edhe më larg, por sfidojmë këtë brez dhe ata që vijnë që ky rekord të mos zgjasë shumë.”
Pas vendosjes së rekordit, astronautët filluan të përgatisin kabinën për të vëzhguar sa më mirë sipërfaqen hënore. Ata kanë arritur të dallojnë me qartësi krateret dhe detajet e terrenit dhe madje kanë kërkuar leje nga qendra e kontrollit në Houston për t’u vendosur emra disa prej tyre.Wiseman ka propozuar që një krater të mbajë emrin e bashkëshortes së tij, Carroll, e cila ndërroi jetë në vitin 2020, në një gjest që rikujton veprimin e komandantit të Apollo 13, Jim Lovell.
Gjatë këtij fluturimi, një nga aktivitetet kryesore të ekuipazhit do të jetë dokumentimi me foto dhe video i sipërfaqes së Hënës, përfshirë edhe anën e saj të padukshme nga Toka. Këto pamje konsiderohen dëshmi unike, pasi realizohen drejtpërdrejt nga syri i njeriut.
Misioni Artemis 2 rikthen në vëmendje edhe historinë dramatike të Apollo 13. I nisur më 11 prill 1970, ky mision u ndërpre pas një shpërthimi në bord, duke detyruar astronautët Jim Lovell, Jack Swigert dhe Fred Haise të përdornin modulin hënor si mjet shpëtimi. Edhe pse nuk arritën të uleshin në Hënë, ata realizuan një rrotullim rreth saj për të shfrytëzuar gravitetin dhe për t’u kthyer në Tokë – një operacion i konsideruar sot si një triumf i inxhinierisë dhe punës ekipore të NASA-s.
Komente









