SHBA-Presidenti i SHBA, Donald Trump, synon të ndërtojë impiante për përpunimin e metaleve në bazat ushtarake të Pentagonit, si pjesë e planit të tij për të rritur prodhimin vendas të mineraleve kritike dhe për të zbutur kontrollin që Kina ushtron mbi këtë sektor, thanë për agjencinë Reuters dy zyrtarë të lartë të administratës.
Ky veprim është një nga disa masat që pritet të përfshihen në një urdhër ekzekutiv, që Trump mund ta nënshkruajë që këtë të mërkurë, pas deklaratës së tij në Kongres javën e kaluar se do të ndërmarrë “veprime historike për të zgjeruar ndjeshëm prodhimin e mineraleve kritike dhe të elementëve të rrallë në SHBA”.
Sipas burimeve, që nuk ishin të autorizuara të flasin publikisht për diskutimet në administratë, urdhri do të përfshijë bashkëpunimin mes Pentagonit dhe agjencive të tjera federale për ndërtimin e impianteve të përpunimit në territoret ushtarake.

Vendosja e këtyre impianteve në bazat ushtarake do të nënvizonte rëndësinë që Trump i jep mineraleve kritike për sigurinë kombëtare. Aeroplanët luftarakë, nëndetëset, plumbat dhe pajisje të tjera ushtarake amerikane përfshijnë komponentë të prodhuar me minerale që aktualisht përpunohen kryesisht në Kinë.
Gjithashtu, Trump planifikon të emërojë një “koordinator për mineralet kritike”, në mënyrë të ngjashme me mënyrën se si presidentët e mëparshëm kanë menaxhuar prioritete të tjera kombëtare, sipas njërit prej burimeve. Megjithatë, planet janë ende në diskutim dhe mund të ndryshojnë përpara nënshkrimit të urdhrit.
Disa zyrtarë të administratës Trump janë shqetësuar nga sinjalet fillestare se Kina mund të kufizojë eksportet e mineraleve kritike si kundërpërgjigje ndaj tarifave amerikane ose për arsye të tjera, tha një tjetër burim i njohur me situatën.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA nuk dha koment mbi këtë çështje.
Me Pentagonin që kontrollon rreth 30 milionë hektarë tokë, ky plan do të garantonte hapësirë të mjaftueshme për ndërtimin e impianteve, duke shmangur konfliktet që shpesh shfaqen me komunitetet lokale dhe nevojën për blerje të tokës nga agjenci të tjera federale.
Përqendrimi në përpunimin e mineraleve – në vend të reformimit të procedurës së lejeve të minierave mund të mos pritet mirë nga kompani të industrisë minerare, por do të adresonte një shqetësim të hershëm të prodhuesve amerikanë, të cilët janë të varur nga kapacitetet përpunuese të Kinës.
Për shembull, Kina është prodhuesi kryesor global për 30 nga 50 mineralet që Shërbimi Gjeologjik i SHBA i konsideron si të rëndësishme.
Nuk është ende e qartë se si do të funksionojë në praktikë vendosja e impianteve në bazat ushtarake, duke qenë se ligjet si Akti për Ajrin e Pastër dhe Akti për Ujin e Pastër do të vazhdojnë të zbatohen, dhe këto rregullore kanë qenë më parë pengesë për zhvillimin privat të projekteve të përpunimit.
Trump më parë ka shfaqur gatishmëri për përdorime alternative të tokave nën kontrollin federal. Si kandidat për president, ai pati premtuar që do të hapte pjesë të tokave federale për ndërtimin e banesave në shkallë të gjerë, në zona me taksa dhe rregullore minimale.
Sipas burimeve, urdhri nuk do të përfshijë krijimin e një stoku strategjik të mineraleve kritike, të ngjashëm me Rezervën Strategjike të Naftës, edhe pse disa zyrtarë dhe kompani minerare e kishin kërkuar këtë. Kina, në të kundërt, ka ndërtuar rezerva të disa mineraleve kritike, përfshirë kobaltin – që përdoret në raketa, pjesë të industrisë ajrore, magnetë komunikimi dhe sisteme radarike.
Po ashtu, nuk pritet që urdhri të detyrojë Pentagonin apo agjencitë e tjera të përdorin vetëm minerale amerikane, një politikë “Buy American” që kompanitë minerare të vogla e shohin si të domosdoshme për të përballuar manipulimet e tregut nga Kina.
Urdhri nuk do të ndryshojë as procedurën federale për dhënien e lejeve për minierat, e cila është përcaktuar nga Akti Kombëtar për Politikën Mjedisore i vitit 1970, pasi për një ndryshim të tillë do të kërkohej ndërhyrje ligjore nga Kongresi.
Megjithatë, pritet që urdhri të zgjerojë procesin e përshpejtuar të dhënies së lejeve (FAST-41), një masë që Trump nisi në mandatin e tij të parë.
Projekti për nxjerrjen e zinkut dhe manganit “Hermosa” i kompanisë South32 në Arizona ishte i pari që përfitoi nga ky proces i përshpejtuar, gjatë presidencës së Joe Biden.
Urdhri gjithashtu do të synojë riklasifikimin e mbetjeve minerale në tokat federale, duke ndjekur hapat e ndërmarrë nga kompani si Rio Tinto dhe Freeport-McMoRan, të cilat kanë nisur të shfrytëzojnë depozita të mbetjeve të vjetra që më parë konsideroheshin të pavlera.
Një riklasifikim i tillë mund të ndihmojë në nxjerrjen më të shpejtë dhe më të lirë të mineraleve si bakri, pa qenë nevoja për hapjen e minierave të reja.
Ende nuk është konfirmuar nëse Trump do ta shpallë bakrin si mineral strategjik – një hap që do t’u mundësonte kompanive amerikane të përfitojnë një kredit fiskal prej 10% për prodhimin. Kompania Freeport, që është prodhuesi më i madh i bakrit në SHBA, i tha Reuters të hënën se shpreson që Trump ta ndërmarrë këtë hap, i cili do t’i kursente asaj rreth 500 milionë dollarë në vit./Reuters
Komente

