Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kritikuar çmimet e larta të biletave për Kupën e Botës 2026, duke deklaruar se edhe ai vetë nuk do të paguante shifra të tilla për të ndjekur një ndeshje nga stadiumi.

Në një intervistë për 'New York Post', Trump u shpreh i habitur nga fakti që biletat për ndeshjen hapëse të SHBA-së kundër Paraguait arrijnë deri në 1,000 dollarë.

“Sigurisht që do të doja të isha atje, por sinqerisht, as unë nuk do ta paguaja atë çmim”, deklaroi ai, duke shtuar se nuk kishte qenë më parë në dijeni të tarifave të tilla.

Sfida në fjalë është planifikuar të zhvillohet më 12 qershor në 'SoFi Stadium', ku SHBA do të nisë rrugëtimin në turneun më të madh të futbollit.

Trump theksoi gjithashtu se çmimet e larta mund të përjashtojnë tifozët e zakonshëm, veçanërisht shtresën punëtore.

“Do të doja që njerëzit që votuan për mua të kishin mundësinë të ishin atje”, u shpreh ai, duke e cilësuar situatën si zhgënjyese. Megjithatë, ai nënvizoi se pavarësisht kësaj çështjeje, Botërori 2026 pritet të jetë një sukses i madh globalisht.

Komentet e Trump vijnë disa ditë pasi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mbrojti çmimet e biletave për Kupën e Botës 2026, turne që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.