Pak pas takimit të mbrëmjes së shkuar në Shtëpinë e Bardhë,me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, holandezin Mark Rutte — takim që zgjati gati dy orë dhe u mbyll sepse Trump kishte darkën me sponsorët e festës së madhe të 4 korrikut për 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara dhe asaj të 14 qershorit për 80-vjetorin e tij — Trump përdori vetëm shkronja të mëdha në Truth Social, shenjë e një irritimi shumë të fortë presidencial:

“NATO NUK ISHTE ATY KUR NE KISHIM NEVOJË DHE NUK DO TË JENË AS NËSE DO TË KEMI SËRISH NEVOJË. MBAJENI MEND GRENLANDËN, ATË BOJK TË MADH AKULLI TË KEQMENAXHUAR!!!”.

Dhe më pas, për ta theksuar edhe një herë, dje në mëngjes, po në Truth Social:

“Asnjë nga këta njerëz, përfshirë edhe NATO-n tonë, shumë zhgënjyese, nuk ka kuptuar asgjë. E vetmja mënyrë është t’u bëhet presion!!!”.

T’u bësh presion, ndër të tjera, mjafton të lexosh autobiografinë e tij të vitit 1987, ka qenë prej gjysmë shekulli mënyra tipike e veprimit të Trump: ai e trajton Iranin, NATO-n, Grenlandën dhe këdo tjetër, njësoj siç trajtonte Hilton-in kur donte të blinte hotel-kazinon e tyre në Atlantic City.

Fillimisht Wall Street Journal dhe më pas Reuters zbuluan dje se në Shtëpinë e Bardhë ka diskutime tashmë në fazë të avancuar për idenë e zhvendosjes së trupave amerikane nga vendet e NATO-s që konsiderohen “ngurruese” për luftën në Iran, drejt vendeve që shihen si bashkëpunuese. Aktualisht ka rreth 80 mijë ushtarë amerikanë në Europë, 30 mijë prej tyre në Gjermani.

Pasi e goditi aleancën atlantike me shuplakë në rrjetet sociale, ja ku del Rutte — që në fakt Trump e ka për qejf, këtë e thotë shpesh; imagjino po të ishte në vend të tij dikush që nuk i pëlqen — i detyruar të bëjë ca ekuilibrime:

“Aleatët po japin mbështetje masive, duke vënë në dispozicion burime logjistike dhe masa të tjera për të siguruar që forcat e fuqishme të armatosura amerikane të mund ta pengojnë Iranin të pajiset me armë bërthamore dhe t’ia ulin kapacitetin për të përhapur kaos. Pothuajse pa përjashtim, aleatët po bëjnë gjithçka që kërkojnë Shtetet e Bashkuara.Ata e kanë dëgjuar kërkesën e presidentit Trump dhe po reagojnë. Mbretëria e Bashkuar po udhëheq një koalicion vendesh që po koordinojnë instrumentet ushtarake, politike dhe ekonomike të nevojshme për të garantuar kalimin e lirë nëpër Ngushticën e Hormuzit: kjo tregon një ndryshim mendësie, aleanca nuk po bën aspak sikur gjithçka është në rregull. Europa po merr një pjesë më të madhe dhe më të drejtë të barrës për mbrojtjen e vet, dhe nga kjo pikë nuk do të ketë kthim pas, as nuk duhet të ketë. Ky është kalimi nga një bashkëvarësi e sëmurë në një aleancë transatlantike të bazuar te një partneritet i vërtetë”.

Po çfarë mund të bëjë realisht Trump kundër NATO-s? Ai nuk mund t’i tërheqë apo pezullojë Shtetet e Bashkuara nga aleanca — pak para kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Kongresi e bëri NATO-n praktikisht “rezistente ndaj Trump”: një dalje nga NATO duhet të miratohet nga dy të tretat e Senatit, ndaj le të shohim kush ia del. Por ai ka një pushtet shumë domethënës për të ndëshkuar vendet anëtare, ose për ta zbrazur aleancën në thelb me mjete të tjera. Po, National Defense Authorization Act (NDAA) i vitit 2024 është menduar haptazi për ta bërë aleancën “rezistente ndaj Trump”. Disa juristë mendojnë se Trump mund të tentojë sërish një dalje të njëanshme duke iu referuar nenit II të Kushtetutës, atij për pushtetin ekzekutiv në çështjet e jashtme. Por aty gjithçka do të përfundonte në Gjykatën e Lartë, ku Trump shpesh ka humbur keq, si me tarifat apo me ius soli.

Megjithatë, kur të dojë, Trump mund të urdhërojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e trupave amerikane. Ai ka kërcënuar më parë se do t’i zhvendosë trupat nga vendet “në ndëshkim” dhe do t’i vendosë në vende që ai i konsideron më të favorshme, pra në Lindje. Duke përdorur arsye të sigurisë kombëtare, sipas Trade Expansion Act, ai mund të vendosë tarifa të rënda. Por opsioni më i rëndë është Neni 5, ai që deri tani është aktivizuar vetëm nga SHBA pas 11 shtatorit. Trump mund të thotë se nuk do ta mbrojë një anëtar të caktuar nëse sulmohet: në atë moment aleanca do ta humbiste menjëherë kuptimin e saj — pra forcën parandaluese.

Trump e ka përsëritur shumë herë ndër vite se NATO-n, në thelb, e sheh si një lloj skeme mbrojtjeje me pagesë: klientët paguajnë shefin, Uashingtonin, për mbrojtje. Pagojnë me para, pra duke rritur shpenzimet ushtarake; dhe paguajnë me besnikëri politike, duke iu përgjigjur thirrjes sa herë që Uashingtoni i thërret./CorrieredellaSera