President Donald Trump deklaroi të premten se do të emërojë Kevin Warsh në krye të Rezervës Federale (FED).

Warsh, 55 vjeç, është ish-anëtar i bordit të Rezervës Federale nga viti 2006 deri në 2011.  Ai është një figurë e njohur në qarqet republikane të ekonomisë dhe ka qenë pjesë e diskutimeve për poste të larta që nga mandati i parë i Trump.

President Donald Trump e ka kritikuar vazhdimisht Bankën Qendrore për mosuljen e normave të interesit dhe e ka kthyer politikën monetare në një nga përplasjet kryesore me Rezervën Federale 

“Nuk kam asnjë dyshim se Kevin do të mbahet mend si një nga kryetarët më të mëdhenj të Fed-it, ndoshta më i miri,” shkroi Trump në rrjetet sociale. “Ai është zgjedhja ideale dhe nuk do t’ju zhgënjejë.”

Warsh ka një karrierë të spikatur si ekonomist, bankier qendror dhe financier, me bindje klasike republikane dhe larg kulturës Maga apo sjelljes së tepruar të presidentit aktual.

Përvoja gjatë krizës Lehman

Warsh ishte një nga guvernatorët e Rezervës Federale në vitet 2008–2009, kur banka qendrore u përball me krizën e madhe financiare pas falimentimit të Lehman Brothers. Në atë periudhë, ai u dallua si një nga anëtarët më të kujdesshëm të bordit për zbatimin e politikave shumë ekspansioniste dhe programeve të mëdha të “quantitative easing” të udhëhequra nga presidenti i atëhershëm Ben Bernanke.

Objektivi i tij: norma interesi më të ulëta

Reputacioni i Warsh si bankier relativisht rigoroz e mbajti të pasigurt emërimin e tij deri në momentin e fundit. Trump nuk e pëlqen as afërsinë e tij me investitorin Stan Druckenmiller, kritik i ashpër i presidentit. Që nga fillimi ishte e qartë se çfarë kërkonte Shtëpia e Bardhë: norma interesi më të ulëta, pavarësisht kostove apo rreziqeve. Prej muajsh Trump ka ushtruar presion mbi Fed-in për ulje të tjera të normave, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit.

Rivalët e mundur

Trump nuk u bind as nga guvernatori i Fed-it në St. Louis, Chris Waller, të cilin e kritikoi për një ulje prej 0.5% të normave në shtator 2024, duke e akuzuar se ndihmoi rivalen e tij demokrate Kamala Harris. As Rick Rieder, drejtues i investimeve në obligacione te gjiganti BlackRock, nuk e fitoi besimin e Trump-it, për shkak të lidhjeve me figura demokrate dhe republikane jo-trumpiste. Presidenti kërkonte një figurë besnike.

Favoriti i përjashtuar

Edhe këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Kevin Hassettm i konsideruar favorit deri pak javë më parë, u përjashtua për shkak të frikës se tregjet do të reagonin negativisht ndaj një kontrolli shumë të dukshëm të pushtetit ekzekutiv mbi një institucion të pavarur si Fed.

Trashëgimia e Jerome Powell

Hetimi penal ndaj Jerome Powell mbi shpenzimet e rinovimit të godinës së Fed-it përfundimisht e vuri Trump-in në pozitë të vështirë. Powell akuzoi administratën se po përpiqet të minojë pavarësinë e bankës qendrore për të ulur normat sipas interesave politike, duke rrezikuar inflacion të ri. Ai mund të qëndrojë në bord deri në vitin 2028, gjë që do ta bënte të vështirë për pasuesin e tij të siguronte shumicë në komitetin që vendos për normat.

Një zgjedhje ortodokse

Pikërisht për këtë arsye, Shtëpia e Bardhë u detyrua të bëjë një zgjedhje relativisht ortodokse. Tregjet reaguan pozitivisht: dollari u forcua menjëherë, ndërsa ari dhe argjendi ranë. Kjo tregon se pushteti i presidentit në tregjet dhe institucionet amerikane nuk është aq i pakufizuar sa ai do të dëshironte.

Marrëdhënia me Trump

Nëse konfirmohet nga Kongresi, Warsh do të përballet me presion. Trump ka deklaruar hapur: “Kush nuk është dakord me mua nuk do të jetë kurrë president i Rezervës Federale”. Ai gjithashtu ka shprehur dyshime për kandidatët që premtojnë ulje normash, duke thënë se shpesh ndryshojnë qëndrim pasi marrin postin.

Lidhjet familjare

Warsh ka edhe një avantazh personal: është i martuar me Jane Lauder, vajza e miliarderit Roland Lauder, ish-shok studimesh i Trump në Wharton dhe trashëgimtar i perandorisë Estée Lauder. Në rrethin plutokratik të Trump, kjo lidhje mund të ketë pasur një lloj peshe në vendimin e Trump. /a Corriere della Sera