Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të premten se nuk është i kënaqur me Iranin dhe se dëshiron ta arrijë një marrëveshje me Teheranin, por paralajmëroi se “nganjëherë duhet” të përdoret forca ushtarake.

Trump, duke folur me gazetarët teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë për një udhëtim në Teksas, tha se Irani ende nuk është i gatshëm të heqë dorë nga armët bërthamore, pavarësisht se këtë ia kërkojnë Shtetet e Bashkuara.

Ai foli një ditë pasi bisedimet mes të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner dhe zyrtarëve iranianë në Gjenevë përfunduan pa marrëveshje.

Ushtria amerikane ka dërguar forca të mëdha në rajon, në pritje të urdhrit nga Trumpi.

“Nuk kam vendosur për Iranin, nuk jam i kënaqur me mënyrën si negocion”, u tha ai gazetarëve teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë për një udhëtim në Teksas. Më tej shtoi se “mund të ketë ose mund të mos ketë një ndryshim regjimi në Iran”.

I pyetur për mundësinë e përdorimit të forcës, Trump tha se Shtetet e Bashkuara kanë ushtrinë më të fuqishme në botë.

“Do të doja të mos e përdorja, por nganjëherë duhet”, tha ai. "Do të kemi bisedime të reja me Iranin sot", shtoi më tej.

"Gjithçka do të shkojë mirë me Iranin, populli iranian më pëlqen", iu drejtua ai gazetarëve. "Të shohim çfarë do të ndodhë".

Ai nuk tregoi se me kë, por zyrtarë të lartë amerikanë të Mbrojtjes ndodheshin të enjten në Shtëpinë e Bardhë për bisedime.

“Ne nuk duam që Irani të ketë armë bërthamore dhe ata nuk po i thonë këto fjalë magjike”, tha Trump.

Presidenti kishte planifikuar aktivitete në Corpus Christi në Teksas të premten pasdite dhe më pas do të fluturonte drejt Floridës për ta kaluar fundjavën në klubin e tij Mar-a-Lago.

Omani, i cili ka vepruar si ndërmjetës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, dërgoi ministrin e tij të Jashtëm në Uashington të premten për bisedime mbi këtë çështje me zv/presidentin amerikan JD Vance.