Shtetet e Bashkuara po përgatiten të vendosin tarifa të reja doganore ndaj Kinës, Bashkimit Evropian dhe dhjetëra vendeve të tjera. Sipas Wall Street Journal, administrata e Donald Trump mund t’i shpallë tarifat doganore që këtë javë, me synimin për të luftuar subvencionet shtetërore ndaj industrive të huaja, të cilat Uashingtoni i konsideron të dëmshme për kompanitë amerikane.

Niveli i tarifave doganore dhe data e hyrjes së tyre në fuqi nuk janë përcaktuar ende, por sipas burimeve të gazetës amerikane, për Bashkimin Evropian, Japoninë dhe Korenë e Jugut, tarifat totale doganore pritet të jenë në nivelin 15% ose më të ulëta. Për Kinën, ato mund të jenë më të larta.

Përfaqësuesi amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer, po përgatitet të prezantojë rezultatet e një hetimi të nisur në mars mbi subvencionet industriale të dhëna nga Kina, Bashkimi Evropian dhe 14 vende të tjera.

Sipas Uashingtonit, ndihma shtetërore ka bërë që kapacitetet prodhuese të tejkalojnë kërkesën, duke u mundësuar kompanive të huaja të hedhin në tregjet ndërkombëtare produkte me çmime të ulëta, në dëm të prodhuesve amerikanë.

Tarifat e reja doganore pritet të prekin pjesën më të madhe të mallrave që eksportohen drejt SHBA-së, me përjashtim të mundshëm të çelikut, aluminit dhe automobilave, të cilat tashmë u nënshtrohen tarifave të vendosura për arsye të sigurisë kombëtare.

Synimi i administratës Trump duket se është rikthimi, përmes një baze tjetër ligjore, i tarifave doganore në nivele të ngjashme me ato të vendosura në vitin 2025, përpara se Gjykata e Lartë amerikane të anulonte raundin e parë të tarifave në shkurt të këtij viti.

Për vendet që kishin arritur marrëveshje tregtare me Uashingtonin, si ato të Bashkimit Evropian, tarifat totale pritet të pasqyrojnë marrëveshjet e nënshkruara më herët. Tarifa më të larta mund të vendosen ndaj Vietnamit dhe Indisë.

Masat pritet të jenë veçanërisht të rrepta ndaj Kinës, subvencionet industriale të së cilës konsiderohen nga Uashingtoni ndër ato që shtrembërojnë më shumë ekonominë botërore.

Administrata amerikane mund të ruajë gjithashtu mundësinë për t’i rritur më tej tarifat doganore nëse vendet e prekura nuk ndryshojnë politikat e tyre industriale.

Tarifat e reja doganore pritet t’u shtohen atyre të vendosura në korrik, që variojnë nga 10% në 12,5%, për të penalizuar vendet që nuk luftojnë tregtinë e mallrave të prodhuara me punë të detyruar. Megjithatë, edhe këto masa janë kundërshtuar në gjykatë./CorrieredellaSera