Në çfarë pike ndodhet lufta e parë e Donald Trump? Kjo varet nëse e shohim në planin ushtarak, gjeoekonomik apo të politikës së brendshme. Bilanci ushtarak është ai më pak problematik.

Nëse krahasohet me konfliktet e kaluara, për momentin sulmi ndaj Iranit mund të quhet ende një “operacion ushtarak special” (për të përdorur shprehjen e Vladimir Putinit në fillim të fushatës në Ukrainë), me një efektivitet të dukshëm në dobësimin e arsenalit të ajatollahëve dhe në goditjen e drejtuesve të regjimit.

Kjo kuptohet më mirë duke imagjinuar një situatë të kundërt: nëse brenda katër javësh Irani do të kishte vrarë Netanyahun, eliminuar drejtuesit e ushtrisë izraelite dhe të Mossad-it, si dhe do të kishte shkatërruar pjesën më të madhe të forcave ajrore dhe detare të Tel Avivit, askush nuk do të thoshte se Garda Revolucionare Islamike po humbiste. Megjithatë, në rastin e Trumpit, ideja e një disfate duket sikur qëndron në ajër.

Kjo mund të duket e ekzagjeruar dhe pjesërisht ashtu është, por duhet pyetur pse ndodh kjo. As në fillim të luftës në Vietnam (që përfundoi si më e papëlqyera në historinë e SHBA-ve) gjysma e amerikanëve nuk shpresonte që ushtria e tyre të humbiste, siç po ndodh që nga 28 shkurti me këtë ndërhyrje. E njëjta gjë vlen edhe për “luftërat e pafundme të Bush-it të Ri” në Lindjen e Mesme: as sulmi ndaj Afganistanit në 2001 dhe as pushtimi i Irakut në 2003 nuk u kundërshtuan kaq fort që në ditët e para.

Klima aktuale shpjegohet edhe me vetë figurën në Shtëpinë e Bardhë.

Kriza e mbështetjes

Portreti i Trumpit kuptohet më mirë duke parë precedentët historikë: anti-evropianizmi i Richard Nixon në fillim të viteve ’70; proteksionizmi i Ronald Reagan në vitet ’80; dhe krizat e shumta në marrëdhëniet transatlantike të lidhura me luftërat në Lindjen e Mesme dhe goditjet energjetike.

Megjithatë, Trump është i veçantë për aftësinë e tij për të trembur dhe larguar nga vetja gjysmën e vendit të tij dhe një pjesë të madhe të aleatëve, sidomos në Evropë.

Mbështetja shumë e ulët në SHBA për luftën në Iran lidhet edhe me faktin se presidenti ka bërë pak për ta shpjeguar dhe “shitur” këtë luftë tek votuesit. Për këtë arsye, edhe në bazën e tij MAGA ka shenja pakënaqësie.

Protestat “No Kings”, që janë zhvilluar edhe këtë fundjavë në disa qytete amerikane, nuk janë të parat kundër një lufte, por këtë herë ato lidhen edhe me shqetësimet për prirjet autokratike të komandantit të përgjithshëm.

Irani vepron edhe në “frontin e brendshëm”, pra në opinionin publik amerikan, duke ndikuar njëkohësisht edhe në ekonominë globale. Në këtë drejtim, lufta nuk mund të konsiderohet sukses derisa të zhbllokohet ngushtica e Hormuzit.

Marrëdhëniet me aleatët

Edhe në raport me aleatët, kriza e vitit 2003 ishte po aq e rëndë sa ajo aktuale, kur Gjermania dhe Franca u distancuan nga lufta në Irak. Atëherë shumëkush mendoi se NATO kishte marrë fund, por ndryshe nga sot, kjo ndarje nuk ndodhte në një kohë tarifash tregtare ndaj mallrave evropiane dhe as gjatë një tjetër lufte në kontinent, si ajo në Ukrainë.

Sipas Kissinger-it

Për Trumpin mbetet i vlefshëm edhe vlerësimi i strategut të madh Henry Kissinger para se të ndërronte jetë: ai është një nga ata personazhe që shënojnë kalimin nga një epokë historike në një tjetër.

Epoka që po nis karakterizohet nga rikthimi në plan të parë i raportit të forcave. Edhe rezultati i kësaj lufte do të gjykohet mbi këtë bazë: kush do të dalë më i fortë dhe kush më i dobët./ Corriere della Sera