Një takim kokë më kokë, larg kamerave, pas javësh të tëra tensioni dhe deklaratash të ashpra në distancë. Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilluan një takim që zgjati më shumë se një orë në Zyrën Ovale, me në fokus Iranin dhe përpjekjet për të rikthyer koordinimin mes dy aleatëve pas fërkimeve të fundit.
“Ishte një takim pozitiv dhe produktiv”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. Edhe vetë Netanyahu e cilësoi takimin si “të shkëlqyer” dhe tha në një video të publikuar në rrjetet sociale se ai u zhvillua “në frymën e bashkëpunimit të plotë”. Sipas tij, objektivi i përbashkët me Donald Trump mbetet që Irani të mos sigurojë armë bërthamore.
Se SHBA-ja dhe Izraeli janë “plotësisht të koordinuar” për çështjen iraniane e konfirmoi edhe Doron Spielman, zëdhënësi i Netanyahut, në një prononcim për Bloomberg. Ai theksoi se Izraeli do të mbështesë çdo vendim që do të marrë presidenti amerikan lidhur me Iranin.
Spielman u përpoq gjithashtu të minimizonte mosmarrëveshjet mes dy vendeve, duke bërë të ditur se gjatë takimit nuk u diskutua çështja e avionëve luftarakë F-35 për Turqinë, një temë që së fundmi ka krijuar tension mes Uashingtonit dhe Tel Avivit.
“Nuk është askush që do të më tregojë se kujt duhet t’ia shesim avionët”, ka përsëritur prej ditësh Trump, duke kritikuar Netanyahun për kundërshtimin e planit të tij për shitjen e avionëve F-35 Ankarasë, ide që presidenti amerikan e kishte përmendur gjatë vizitës në Turqi për samitin e NATO-s.
Por Turqia nuk është pika e vetme e përplasjes mes Trumpit dhe Netanyahut.
Pak para takimit në Zyrën Ovale, presidenti amerikan kritikoi publikisht kryeministrin izraelit për faktin se kishte bërë publike informacione të reja të inteligjencës mbi zgjerimin e aktivitetit bërthamor iranian në kompleksin e Pickaxe Mountain.
“Nuk kam nevojë që Bibi të ma thotë këtë. Ne e dimë saktësisht çfarë po ndodh. Ai e thotë sepse dëshiron që ne të vazhdojmë të jemi të përfshirë në Iran. Por pse duhet t’ia tregojë gjithë botës?”, deklaroi Trump në një intervistë për Fox News.
Megjithatë, presidenti amerikan minimizoi situatën, duke shtuar: “Nuk është ndonjë problem i madh. Nëse nuk arrihet një marrëveshje, ne do ta shkatërrojmë shumë lehtë Pickaxe Mountain.”
Kjo deklaratë pasqyron pakënaqësinë e Trump ndaj Netanyahut, i cili më herët e kishte siguruar se operacioni në Iran do të ishte i shpejtë dhe do të sillte ndryshim regjimi në Teheran. Në realitet, lufta ka hyrë tashmë në muajin e gjashtë, ndërsa udhëheqja e re iraniane konsiderohet më e ashpër se ajo e mëparshme dhe, sipas shërbimeve amerikane të inteligjencës, më e vendosur për të zhvilluar armë bërthamore.
Netanyahu mbërriti në Shtëpinë e Bardhë pak para orës 11:00 të paradites, në një Uashington të blinduar për ceremoninë mortore të senatorit Lindsey Graham. Ai mbërriti vetëm pak minuta pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë.
Jashtë portave të kompleksit presidencial, një grup protestuesish pro-palestinezë e pritën Netanyahun me pankarta ku e cilësonin “kriminel lufte” dhe kërkonin që Shtetet e Bashkuara të ndalonin furnizimin me armë për Izraelin.
Protesta pasqyron një klimë gjithnjë e më kritike në opinionin publik amerikan ndaj Izraelit dhe qeverisë së Netanyahut. Brenda Partisë Demokratike, kritikat janë shtuar ndjeshëm dhe së fundmi 100 deputetë demokratë votuan pro shkurtimit të ndihmës amerikane për Izraelin.
Edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, e ka përshkallëzuar retorikën, duke i kërkuar qeverisë federale arrestimin e Netanyahut mbi bazën e urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, duke e cilësuar atë “arkitekt të gjenocidit në Gaza”.
Pakënaqësitë nuk kufizohen vetëm te demokratët. Edhe brenda Partisë Republikane po shtohen zërat kritikë, veçanërisht nga krahu që kundërshton përfshirjen e SHBA-së në konflikte të reja ushtarake.
“Netanyahu ka vizituar dy herë Shtëpinë e Bardhë gjatë 18 muajve të fundit dhe të dyja herët kanë qenë një katastrofë për politikën ‘America First’”, deklaroi ish-strategu i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, duke reflektuar shqetësimin e aleatëve të Trump se kryeministri izraelit mund ta shtyjë presidentin amerikan drejt një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.
“Për momentin, Netanyahu është kthyer në një burim problemesh. Kjo luftë ka konsumuar pesë muaj e gjysmë dhe ende nuk duket një zgjidhje e qartë”, u shpreh një ish-zyrtar i administratës amerikane.
Republikanët, përfshirë edhe ata që mbështesin luftën, po e ndjekin me shqetësim zhvillimin e situatës, pasi janë të vetëdijshëm se sa më gjatë të zgjasë konflikti, aq më shumë pakësohen edhe shanset e tyre për fitore në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit.
Komente










