Vrasja e Liljana Buzos, gra e vajza në Elbasan ngrihen në protestë me pankarta në duar: Mos e vrit nënën time

Vrasja e grave në Shqipëri vazhdon të mbetet një plagë për shoqërinë dhe sfidë për shtetin shqiptar. Rasti i fundit ishte ai 54 vjeçares Liljana Buzo nga Elbasani e cila u vra pranë gjykatës nga bashkëshorti i saj, pasi kishte nisur procedurat e divorcit.

Për t’i thënë jo dhunës, marrjes së jetës njerëzore dhe nën moton “THUAJA EMRIN” gra dhe vajza në Elbasan marshuan sot nga qendra e qytetit drejt gjykatës ku u vra 54 vjeçarja. Ndonëse gratë protestuese ftuan meshkujt t’u bashkohen përgjigja nuk ishte pozitive, ata nuk u ngritën as nga kafja dhe as nuk fikën makinat në shenjë solidariteti.

Ndalesa e parë ishte ne vendin ku 54 vjeçarja humbi jetën, ku u vendosën karafila dhe u ndezën qirinj.

Në ndalesën përfundimtare pranë gjykatës gratë e konsideruan vetëm një grimcë reagimin e sotëm, ndërsa për disa prej tyre vrasja pranë institucionit të drejtësisë është simbol i dështimit të shtetit.

"Duhet t'i themi stop dhunës. Ne kemi një jetë për të jetuar dhe duhet ta jetojmë atë denjësisht. Askush nuk ka të drejtë të na e cenojë atë, të na e dhunojë dhe të na e marrë atë. Prandaj jemi sot këtu, për Liljanën dhe për shumë gra të tjera që janë vrarë në këto vit enë Shqipëri. Le të bëhemi bashkë, burra e gra, le të nxjerrim më të mirën tonë, për fëmijët e për familjet tona. Le ta gëzojmë jetën, le të largojmë njëherë e përgjithmonë dhunën nga vatrat tona, fëmijët tanë që po i shkatërrojmë me duar tona. Ne të rriturit duhet të japim modele pozitive. Ky është vetëm një grimcë reagimi, ne kemi nevojë që nga gjithsecili në çdo familje, t'i themi stop dhunës. Ne do vazhdojmë, kjo luftë nuk bëhet në një ditë, as me dy veta, kërkon një reagim shoqëror. Para se të jetë vonë, le të reagojmë sot, le ta ndryshojmë të ardhmen sot. Ne ligjet i kemi të mira, por kërkojmë një zbatim më të mirë dhe reagim zinxhirë nga familjet, institucionet dhe të gjithë, të gjithë jemi përgjegjës", tha Mirela Gjoni, pjesë e Forumit të Gruas Elbasan

Për drejtoren e arsimit në Elbasan, Anila Çota, raste të tilla të marrjes së jetës vendosin në pikëpyetje rolin e edukimit në shkolla dhe se kërkohet një edukim më i mirë qysh në gjenezë.

"E kemi detyrim t'i bashkohemi kësaj proteste për shkak të kauzës që ajo ka me vete. Përfaqësoj këtu një institucion edukimi dhe ndjejë një refleksion të thellë brenda vetes sime. Ndoshta institucionet arsimore nuk janë duke  bërë punë e tyre në edukimin për barazinë gjinor enë nivele të mjaftueshme, por fakti që maxhorenë marrin nisma të tilla, na bën të mendojmë për shoqërinë në tërësi. Uroj që kjo kauzë të shkojë në veshin e të marrëve, të vrasësve, të dhunuesve dhe uroj që të tilla raste të jenë stopuar në këtë moment. Më bëri përshtypje që u bë një thirrje për burrat që t'i bashkoheshin kësaj proteste, por asnjë nuk lëvizi, pra më e rëndësishme ishte qetësia e tyre se sa jeta e në gruaje që u vra në mënyrë barbare. Ajo deshi të merrte lirinë e saj, të largohej nga dhuna dhe u vra. Nuk di sa fort duhet të tingëllojë kjo në veshin e gjithsecilit. Protesta të tilla nuk i zgjidhin problemet, por së paku fuqizojnë zërat në drejtim të respektimit të të drejtave të grave", tha Çota.

Të vetmit meshkuj që iu bashkuan marshimit ishte komisioneri kundër diskriminimit Robert Gajda dhe aktivisti Gentjan Sejrani. Ky i fundit përcolli mesazhin e tij për të gjithë meshkujt e tjerë.

"Kur dëgjon raste të tilla, duhet të sensibilizohesh. Unë flas në rolin e një babai që po rris një vajzë dhe nuk mund ta imagjinoj që vajza që unë po rris me mund të vritet nga një kafshë dhe t'i marrë jetën vajzës që rrite me aq dashuri e dhembshuri nga prindit. Të paktën të ketë ndryshime të politikave në nivel lokal për gratë që kërkojnë urdhër mbrojtje. Shohim që ka përsëritje të rasteve, kjo do të thotë se   diçka nuk funksionon në menaxhimin e situatave të tilla. Ajo që duhet parë me vëmendje nga institucionet përgjegjëse është se si mund t'i vijë në ndihmë këtyre grave që mos arrijmë në situata të tilla, si mund t'i parandalojmë. Është momenti që të rishikohen politikat dhe të zbatohen ato që janë të miratuara në nivel qendrorë dhe vendorë", tha Sejrani.

Iniciatorët e protestës premtuan se nuk do ta ndalin këtu kauzën e tyre, pasi reagimi i sotëm do të pasohet nga të tjerë në ditët në vijim.

54-vjeçarja Liljana Buzo u qëllua për vdekje nga bashkëshorti pasi kishte mbaruar seancën për procesin e divorcit. 58-vjeçari Koço Buzo e priti bashkëshorten jashtë gjykatës ku iu afrua  duke e qëlluar fillimisht me thikë dhe më pas e qëlloi 7 herë me kallashnikov pas shpine. E gjithë ngjarja ndodhi në sy të djalit të tyre, ndërsa pas krimit 58-vjeçari ka thënë se gruaja donte që të ndahej prej tij dhe këtu kishte nisur zanafilla e konfliktit.

 

J.SH./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    BE heq kufizimet dhe pak raste ditore, a mendoni se mbaroi pandemia në Shqipëri?

Komento

Komente

  • patriarku: 11/05/2021 19:26

    Ndjekese ambulancash. Te njejtat fytyra. Si e si te justifikojne fondet e OJFve.

    Përgjigju


×

Lajmi i fundit

John

Nishani në Repolitix: Mesazhi i Berishës për të marrë drejtimin e PD është për anëtarësinë, partia po shkon keq e më keq