Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka thënë se mund të vendos tarifa doganore shtesë ndaj vendeve që vazhdojnë të tregtojnë me Iranin, në një urdhër ekzekutiv të nënshkruar të premten.

Urdhri nuk specifikon normën që mund të aplikohet, por përdor 25% si shembull, dhe thotë se do të zbatohet për mallrat e importuara në SHBA nga çdo vend që “blen, importon ose merr në çdo mënyrë mallra ose shërbime nga Irani, drejtpërdrejt ose tërthorazi”.

Trump nuk ka komentuar drejtpërdrejt urdhrin, por ka përsëritur se Irani nuk do të ketë “armë bërthamore” gjatë një fjalimi nga Air Force One të premten në mbrëmje. Ky urdhër vjen në mes të bisedimeve të vazhdueshme mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe iranianë në Oman, pas disa javësh kërcënimesh nga të dyja palët. Trump kishte kërcënuar më herët këtë vit me një tarifë doganore prej 25% për vendet që bëjnë biznes me Iranin, në një postim në Truth Social.

Më 12 janar, ai shkroi: “Me efekt të menjëhershëm, çdo vend që bën biznes me Republikën Islamike të Iranit do të paguajë një tarifë doganore prej 25% për çdo dhe gjithë marrëveshjet që bëhen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Në atë kohë nuk u dhanë detaje të mëtejshme se si do të funksiononin tarifat doganore në praktikë. Shtëpia e Bardhë tha se ky urdhër i fundit ekzekutiv ripohon “gjendjen e vazhdueshme të emergjencës kombëtare lidhur me Iranin”, dhe vuri në dukje se presidenti mund ta modifikojë atë nëse ndryshojnë rrethanat.

Urdhri lexonte: “Presidenti vë Iranin para përgjegjësisë për ndjekjen e kapaciteteve bërthamore, mbështetjen ndaj terrorizmit, zhvillimin e raketave balistike dhe destabilizimin rajonal që rrezikon sigurinë, aleatët dhe interesat amerikane.”

Bisedimet që u çelën në Oman janë të parat që përfshijnë zyrtarë amerikanë dhe iranianë që nga qershori i kaluar, kur SHBA-të bombarduan tre objektivat kryesore bërthamore të Iranit. Delegacioni iranian udhëhiqej nga ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, ndërsa SHBA-të u përfaqësuan nga i dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner.

Duke folur për gazetarët në bord të Air Force One, Trump tha se bisedimet e së premtes ishin “shumë të mira” dhe se Irani “duket se dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje”.

“Nëse nuk arrihet një marrëveshje, pasojat do të jenë shumë të rënda,” tha presidenti, duke shtuar se do të ketë një takim tjetër në fillim të javës tjetër.

Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, i cili ndërmjetësoi bisedimet, tha se ato ishin “të dobishme për të sqaruar mendimet iraniane dhe amerikane dhe për të identifikuar fusha për përparim të mundshëm.” Në një deklaratë për X, Araghchi përshkroi bisedimet deri tani si “një fillim të mirë” dhe tha se mbizotëronte “një atmosferë pozitive”. Ai shtoi se negociatorët tashmë janë kthyer në kryeqytetet e tyre për konsultime.