Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, rindez luftën tregtare. Në një postim në platformën e tij, Truth, udhëheqësi i SHBA-së sulmoi Bashkimin Evropian, duke e akuzuar atë për shkelje të marrëveshjeve dhe për njoftimin e tarifave doganore prej 25% për automjetet.

"Kam kënaqësinë të njoftoj se, bazuar në dështimin e Bashkimit Evropian për të respektuar marrëveshjen tonë tregtare, javën tjetër do të rris tarifat doganore e vendosura ndaj Bashkimit Evropian për makinat dhe kamionët që mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara. Tarifa doganore do të rritet në 25%", shkroi ai në Truth.

"Nëse ata prodhojnë makina dhe kamionë në Shtetet e Bashkuara, nuk do të ketë tarifë doganore. Fabrika të shumta janë aktualisht në ndërtim e sipër, me investime që tejkalojnë 100 miliardë dollarë, një rekord në historinë e industrisë së automobilave", shtoi Trump.

Bernd Lange, kryetari i Komitetit të Tregtisë të Parlamentit Evropian, mohoi se Evropa nuk kishte arritur t'i përmbushte angazhimet e saj dhe denoncoi mungesën totale të besueshmërisë së administratës amerikane.

"Sjellja e Trump është e papranueshme. Parlamenti ishte gati të ratifikonte legjislacionin mbi marrëveshjen tregtare me SHBA-në. Janë Shtetet e Bashkuara që kanë shkelur vazhdimisht marrëveshjet dhe kjo nuk është mënyrë për t'i trajtuar aleatët. Tani mund të përgjigjemi vetëm me qartësinë dhe vendosmërinë më të madhe", tha ai.

Lëvizja e SHBA-së vjen në një kohë tensionesh të mëdha në ekonominë globale dhe evropiane, të rrënjosura në pasojat e luftës së nisur nga SHBA-të dhe Izraeli kundër Iranit - përfshirë bllokadën e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Trump dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, arritën një pakt tregtar korrikun e kaluar, sipas të cilit shumica e mallrave evropiane të importuara në Shtetet e Bashkuara i nënshtrohen një tarife bazë prej 15 përqind.

Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe BE-ja kishin konfirmuar më parë angazhimin e tyre për të ruajtur Marrëveshjen Turnberry - një marrëveshje e emëruar sipas fushës së golfit të Trump në Skoci ku u nënshkrua, por statusi i marrëveshjes u vu në pikëpyetje pasi Gjykata e Lartë vendosi që presidentit amerikan i mungonte autoriteti ligjor për të shpallur një emergjencë ekonomike dhe për të vendosur tarifa për mallrat evropiane.

Vendimi i Gjykatës së Lartë e uli normën bazë në 10%.

Ditët e fundit, Trump është përplasur drejtpërdrejt me kancelarin gjerman Merz, i cili pretendoi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë një strategji për t'i dhënë fund luftës në Iran dhe janë "poshtëruar" nga regjimi i Teheranit. Tarifat dogamore mbi importet e makinave të vendosura sot nga Trump mund të ndikojnë veçanërisht në Gjermani, ekonomia e së cilës është gjithashtu në një fazë jashtëzakonisht delikate./ Corriere della Sera