Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për një armëpushim energjetik me efekt të menjëhershëm, duke u bërë thirrje të dyja palëve që të mos e shkelin marrëveshjen.
“Me efekt të menjëhershëm ka hyrë në fuqi një armëpushim energjetik në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Të dyja palët kanë rënë dakord. Mos e shkelni!”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth.
Deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Moska për armëpushimin e njoftuar nga Trump, ndërsa nga Kievi kanë ardhur deklarata që tregojnë se autoritetet ukrainase nuk ishin në dijeni të një marrëveshjeje të tillë. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse armëpushimi i shpallur është i përhershëm apo i përkohshëm.
Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se nuk kishte dijeni për një marrëveshje të tillë.
“Për mua është një risi. Nëse edhe Moska është dakord, atëherë jemi edhe ne. Nëse Trump e ka negociuar me Putinin, ju lutem na tregoni kur do të nisë armëpushimi. Ne jemi gati dhe do ta pranojmë”, tha Zelensky për Axios.
I pyetur edhe për kërkesat e bëra në të kaluarën për largimin e tij nga pushteti, Zelensky u përgjigj se vendimi u takon qytetarëve të Ukrainës.
“Nëse duhet të largohem? Këtë duhet ta vendosin ukrainasit”, deklaroi ai.
Edhe një zyrtar i lartë ukrainas, i cituar nga Financial Times, tha se autoritetet në Kiev nuk kanë marrë asnjë njoftim për një armëpushim energjetik. Sipas tij, ekipet e emergjencës po punonin ende për rikthimin e energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë në Kiev pas sulmeve të fundit ruse.
Çështja e një armëpushimi energjetik ishte bërë burim përplasjesh mes Trump dhe Zelenskyt edhe në ditët e fundit. Sipas Axios, gjatë tetë orëve bisedime në Miami, përfaqësuesit amerikanë i thanë delegacionit ukrainas se Trump kishte vendosur të ecte përpara me një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin për çështjen e naftës, pasi Kievi kishte injoruar kërkesat e përsëritura të Uashingtonit për të ndalur sulmet ndaj rafinerive ruse.
Sipas zyrtarëve amerikanë, sulmet ndaj rafinerive dëmtojnë Rusinë, por njëkohësisht ndikojnë në rritjen e çmimeve të karburanteve, duke prekur edhe konsumatorët amerikanë. “Zelensky po e interpreton gabim situatën. Duke vazhduar sulmet ndaj rafinerive, po dëmton marrëdhënien e ndërtuar me Trump”, citohet të ketë thënë një zyrtar amerikan.
Nga ana tjetër, Ukraina kishte propozuar ndalimin e sulmeve ndaj impianteve ruse të naftës në këmbim të ndërprerjes së bombardimeve ruse ndaj centraleve elektrike ukrainase. Trump, sipas Axios, kishte kërkuar një pezullim të njëanshëm të sulmeve, madje një ditë më parë deklaroi se Zelensky “do të krijojë probleme për botën dhe fermerët” dhe se “nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i dhënë fund luftës”.
Sigurimi i ndihmës së re ushtarake evropiane me vlerë rreth tre miliardë euro, e cila pritet të vihet në dispozicion javën e ardhshme, u njoftua nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pas një komunikimi që pati me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas u ankua se Rusia vazhdon të godasë infrastrukturën energjetike të vendit të tij, edhe pas njoftimit të Presidentit amerikan Donald Trump për një armëpushim energjetik, duke iu referuar sulmeve në Kiev dhe rajonin e Kharkiv.
Vlen të përmendet se, nga pala ruse, deri më tani nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare as për njoftimin e armëpushimit nga Trump dhe as për akuzat e Zelensky-t.
Në postimin e tij, Zelensky tha se pati një diskutim të gjerë me Von der Leyen-in rreth bashkëpunimit midis Ukrainës dhe Bashkimit Evropian, nevojave të mbrojtjes së vendit të tij dhe vendimeve të nevojshme për të vazhduar mbështetjen evropiane.
Presidenti ukrainas falënderoi kreun e Komisionit për ndarjen e 1.24 miliardë eurove, një shumë që siç tha ai, Ukraina e ka marrë tashmë për mbrojtjen e saj. "Jam mirënjohës për konfirmimin se afërsisht tre miliardë euro të tjera në mbështetje ushtarake do të ndahen që javën e ardhshme. Këto fonde do të na forcojnë", vuri në dukje Zelensky.









Komente
Komento