Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar një moment të sikletshëm gjatë telefonatës tradicionale me ushtarakët amerikanë që shërbejnë jashtë vendit, me rastin e festës së Falënderimeve. Gjatë komunikimit, Trump u përpoq fillimisht të përfshinte në bisedë edhe bashkëshorten e tij, Melania, duke pyetur ushtarët nëse kishin ndonjë pyetje për Zonjën e Parë, e cila ndodhej pranë tij.

Megjithatë, pyetjes së tij iu përgjigj heshtja për disa sekonda, derisa koordinatori i telefonatës ndërhyri duke thënë se nuk kishte pyetje për momentin.

Më pas, Trump iu drejtua një piloti të Forcave Ajrore amerikane, i cili shërben në Arabinë Saudite, duke i bërë një pyetje të pazakontë për karrierën e tij ushtarake dhe një jetë luksoze në New York, me Melanian pranë.

“Do ta ndërroje këtë jetë, duke fluturuar me këta avionë të bukur që i do kaq shumë, me një apartament luksoz në një ndërtesë në New York dhe një grua të bukur si Melania pranë teje? Është një pyetje e vështirë, kujdes si përgjigjesh!”, e pyeti Trump pilotin.

Por përgjigjja e ushtarakut nuk ishte ajo që presidenti mund të kishte pritur. Piloti, nënkoloneli Brent Smith, shpjegoi se dëshira për t'u bërë pilot kishte nisur që në fëmijëri dhe se nuk do ta ndërronte ëndrrën e tij me asnjë luks.

“Ky është profesioni që kam dashur të bëj që kur isha fëmijë dhe nuk do ta ndërroja me asgjë”, u përgjigj ai.

Trump e vlerësoi përgjigjen e tij, duke thënë se ishte përgjigjja e duhur, ndërsa Melania ndërhyri gjithashtu duke komentuar se një përgjigje tjetër mund ta kishte futur pilotin në telashe.


Lajmi kryesor:

Trump e shfrytëzon mesazhin e Ditës së Falënderimeve për të sulmuar kundërshtarët politikë, emigrantët dhe qeverinë federale