Presidenti amerikan Donald Trump është takuar me kryeministrin Viktor Orban - vizita e parë në Shtëpinë e Bardhë e kryeministrit hungarez, i cili ka nxitur mjaft polemika, që kur u rikthye në pushtet në vitin 2010.
Victor Orban, kryeministër i Hungarisë në vitet 1998-2002 dhe përsëri që nga viti 2010, është kritikuar nga Bashkimi Evropian, anëtar i të cilit është Hungaria, për shkelje të të drejtave të njeriut dhe demokracisë në vendin e tij.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Trump përshëndeti politikat e emigracionit dhe vijën e ashpër të kryeministrit hungarez, duke thënë se Orban ka "bërë gjënë e duhur" mbi imigracionin.
"Ai është ... ndoshta, si unë, pak i diskutueshëm, por është në rregull," tha Trump.
I ulur pranë presidentit Trump, Orban u tha gazetarëve se Hungaria është "krenare të qëndrojë në krah me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër imigracionit të paligjshëm"./Përgatiti Ilir Çuçi