Trump tërhiqet nga kërcënimi për mbylljen e kufirit

Trump tërhiqet nga kërcënimi për mbylljen e kufirit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, viziton sot kufirin SHBA – Meksikë për të parë nga afër një projekt për ngritjen e murit kufitar. Vetëm një ditë më parë, ai u tërhoq nga kërcënimi për të mbyllur kufirin jugor të vendit, në rast se Meksika nuk do të veprojë për të ndalur emigracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës drejt Shteteve të Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, Presidenti u shpreh se do të vendosë në fakt tarifa ndaj automjeteve, si formë presioni ndaj Meksikës.

Çdo lloj kërcënimi për mbyllje të kufirit është alarmues për shumë njerëz që jetojnë përgjatë vijës kufitare SHBA – Meksikë.

“Brenda vetëm pak javësh do të ndalej prodhimi; do të humben vendet e punës, ose nuk do t’i paguajnë më njerëzit pasi nuk do të ketë më punë. Pra, është çështje kombëtare dhe një gjë jo e mirë për Shtetet e Bashkuara”, thotë Adolpho Telles, i Partisë Republikane në El Paso.

Ndërsa Presidenti Trump viziton sot kufirin SHBA – Meksikë, në Calexico, të Kalifornisë, ai kishte kërcënuar se do të mbyllte kufirin, nëse Meksika dhe vendet e Amerikës Qendrore nuk do të bëjnë më shumë për të frenuar prurjet e emigrantëve drejt Shteteve të Bashkuara.

Por, ai u duk se u tërhoq dje nga ky kërcënim.

“E vetmja masë më e mirë, por jo aq drastike sa mbyllja e kufirit, do të ishte vendosja e tarifave ndaj makinave që hyjnë. Dhe do ta bëj. Ju e dini që unë e bëj dhe nuk bëj lojëra. Do ta bëjmë për të ndalur ardhjet e njerëzve. Do t’u japim një vit kohë”, tha Presidenti Trump.

Komenti i tij erdhi pasi pati kundërshtime intensive ndaj mbylljes së kufirit, madje edhe nga vetë partia e tij dhe komuniteti i biznesit.

“Kërcënimi i Presidentit për të mbyllur kufirin jugor do të ishte një katastrofë ekonomike dhe shpresojmë ta mendojë sërish përpara se ta zbatojë”, thotë David French, i Shoqatës Kombëtare të Tregtisë me Pakicë.

Administrata Trump thotë se ka një krizë emigracioni në kufi. Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë njoftoi se do ulë me 450 milionë dollarë asistencën për Guatemalën, Hondurasin dhe El Salvadorin, vendet nga vijnë një pjesë e mirë e emigrantëve.

“Vendimi i marrë nga Presidenti papritmazi dhe arbitrarisht, ngjall shumë dyshime mes partnerëve tanë në rajon; madje edhe tek zyrtarët amerikanë që përpiqen të zbatojnë programet racionale që nevojiten për të ulur valën e njerëzve që vijnë tek kufiri ynë jugperëndimor”, thotë Roger Noriega, i Institutit Amerikan të Sipërmarrjes.

Emigracioni vazhdon të jetë një tematikë kryesore për Presidentin Trump, ndërsa ai po përgatitet për fushatën zgjedhore të vitit 2020.

“Parafytyroj skenarin kur ai vazhdon të vërë në dukje prurjet e drejt kufirit SHBA – Meksikë. Në këtë kuadër, ai do të thotë se do t’i duhen edhe katër vite të tjera për të ndërtuar murin, për të krijuar siguri për vendin dhe për t’u përballur me këtë çështje”, thotë Cristobal Ramon, i Qendrës për Politikat Dypartiake.

Megjithë retorikën e ashpër të Presidentit Trump ndaj emigracionit, dhëndri i tij dhe njëkohësisht këshilltari i tij i lartë Jared Kushner, është duke punuar për një propozim që do të rriste numrin e punonjësve të nivelit të lartë dhe të ulët që lejohen të hyjnë çdo vit në Shtetet e Bashkuara. VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Policia në terren: Ka prezencë bore në të gjitha akset rrugore, 2 segmente vështirësi në qarkullim! Mbahet e hapur ‘Rruga e Kombit’

Kukës/ Policia në terren: Ka prezencë bore në të gjitha akset rrugore, 2 segmente vështirësi në qarkullim! Mbahet e hapur ‘Rruga e Kombit’