Pas ndërprerjes së negociatave tregtare, Donald Trump ka vendosur tarifa shtesë doganore prej 10% ndaj Kanadasë si shenjë hakmarrjeje ndaj reklamës antitarifore që transmetuan autoritetet e Ontarios. Në një postim në Truth Social, presidenti i SHBA e përshkroi transmetimin e reklamës si një "akt armiqësor".

“Për shkak të keqinterpretimit serioz të fakteve dhe aktit armiqësor, unë po e rris tarifën ndaj Kanadasë me 10% mbi atë që po paguajnë tani”, shkroi Trump. Ky veprim i kreut të Shtëpisë së Bardhë erdhi edhe pse kryeministri i Ontarios, Doug Ford tha se reklama do të ndalej duke filluar nga e hëna.

"Qëllimi ynë ishte gjithmonë të nisnim një bisedë rreth llojit të ekonomisë që amerikanët duan të ndërtojnë dhe ndikimit të tarifave mbi punëtorët dhe bizneset. Ne e kemi arritur qëllimin tonë, duke arritur audiencën amerikane në nivelet më të larta.", shkroi Ford në një postim në rrjete sociale të premten. 

Më herët këtë muaj, zyrtarët e Ontarios nisën transmetimin e një reklame  me fragmente nga një fjalim radiofonik i vitit 1987  nga ish-presidenti Ronald Reagan, ku thoshte se tarifat doganore funksionojnë "vetëm për një kohë të shkurtër" dhe "dëmtojnë çdo punëtor dhe konsumator amerikan".Reklama shkaktoi zemërimin e Trump të enjten, i cili reagoi duke ndërprerë negociatat tregtare me Kanadanë. 

Tensionet tregtare midis SHBA-së dhe Kanadasë kanë vazhduar prej muajsh, mes luftës tregtare globale të Shtëpisë së Bardhë. Gjatë verës, Trump  i rriti tarifat doganore ndaj fqinjit në 35%, megjithëse një pjesë e madhe e mallrave janë të përjashtuara sepse mbulohen nga Marrëveshja Tregtare SHBA-Meksikë-Kanada e vitit 2020.

Në mars, Kanadaja vendosi tarifa hakmarrëse prej 25% për shumë produkte amerikane që nuk mbulohen nga USMCA. Por në gusht, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje mbi tarifat, kryeministri kanadez Mark Carney  tha se këto tarifa hakmarrëse po hiqeshin . Të dy vendet ende nuk kanë arritur një marrëveshje të tillë.