Partia Demokratike do të mbajë sot një tubim para Kryeministrisë, ndërsa Policia e Tiranës njofton se ka vendosur masa sigurie dhe kufizime të qarkullimit për mbarëvajtjen e protestës.
Tubimi pritet të nisë në orën 18:00 dhe të zgjasë deri në 20:00. Për shkak të tij, qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ministria e Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali” është bllokuar që në orën 15:00.
Policia bën me dije se, në varësi të situatës gjatë protestës, kufizime të përkohshme mund të vendosen edhe në akse të tjera. Qarkullimi do të devijohet në rrugë alternative.
Drejtuesve të automjeteve u kërkohet të shmangin zonën dhe të planifikojnë lëvizjet për të evituar trafikun.
Njoftimi i plotë i Policisë:
"Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubimin e ditës së sotme, nga ora 18:00 deri në orën 20:00, para Kryeministrisë.
Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e sotme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim"
Komente











