TUNIS, 21 gusht /ATSH-AFP/ - Presidenca tuniziane ka dënuar ashpër krimet e Shtetit Islamik (EI), veçanërisht vrasjen e gazetarit amerikan, James Foley duke gjykuar se grupi xhihadist ishte një kërcënim për të gjithë shtetet e rajonit.
"Pas krimeve të rënda dhe të përsëritura që kryejnë organizatat terroriste në Irak kundër minoriteteve etnike dhe fetare irakiane dhe ekzekutimit të një prej pengjeve të tyre, Tunizia dënon me forcë këto krime të urryera", theksoi presidenca në një komunikatë.
Xhihadistët ultra-radikalë të EI-së publikuan dje një video në të cilën ata tregojnë një person të maskuar duke vrarë James Foley, një gazetar amerikan i rëmbyer nga persona të armatosur në muajin nëntor 2012 në Siri.
"Këto organizata terroriste përbëjnë një rrezik për të gjithë shtetet e rajonit", shtoi presidenca duke i kërkuar organizatave dhe strukturave rajonale zyrtare dhe civile të bashkojnë përpjekje për t'u bërë ballë.
Tunizia i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të mbrojë minoritetet etnike dhe fetare në Irak duke përdorur atë që lejon e drejta ndërkombëtare në këto situata ekstreme", shtoi presidenca./
/ec/