Turi ballkanik/ Von der Leyen në Prishtinë, konferencë me Osmanin: Kosova ta pranojë Asociacionin, Serbia njohjen de facto! Presidentja: BE të na hapë dyert

Turi ballkanik/ Von der Leyen në Prishtinë, konferencë me Osmanin: Kosova ta pranojë Asociacionin, Serbia njohjen de facto! Presidentja: BE të na hapë dyert

Ursula von der Leyen dhe Vjosa Osmani

Gjatë vizitës zyrtare në Prishtinë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u ndal tek dialogu Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ajo ftoi Kosovën që të nisë zyrtarisht procedurën për zbatimin e Asocacionit dhe Serbinë që të ndërmarrë hapat konkrete për njohjen e Kosovës.

“Ajo që kam biseduar me presidenten, dhe që do ta bisedoj edhe me kryeministrin është se çfarë mund të bëjmë për të hequr masat ndëshkuese. Këtu është çështja e draft-statutit në qendër të diskutimeve dhe praktikisht është një hap i rëndësishëm përpara në normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Këtu na duhen të dyja palët të bëjnë pjesën e tyre, por është po ashtu vendimtare që jo vetëm të ketë shtensionim të situatës por edhe të lëvizet në rrugën drejt BE-së. Edhe në Serbi atje do ti diskutoj edhe hapat që duhet të ndërmarrë Serbia për njohjen de-facto”.- tha Von der Leyen.

Nga ana tjetër Osmani tha se në takim me zyrtaren evropiane ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese, që BE-ja vendosi pas rritjes së tensioneve në veri në fund të majit.

E pyetur nëse BE-ja do të vendosë kushtëzime apo sanksione ndaj Serbisë, pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se nuk mund ta zbatojë plotësisht marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, Von der Leyen tha se gjatë vizitës të martën në Beograd do të diskutojë për hapat drejt njohjes de facto të Beogradit për Prishtinën.

Zyrtarja e BE-së tha se blloku është i përkushtuar për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, ajo tha se të gjitha shtetet që duan të bëhen pjesë e BE-së, duhet të respektojnë parimin e fqinjësisë së mirë.

Kujtojmë se Von der Leyen ka nisur ditën e djeshme vizitën e saj katërditore në Ballkanin Perëndimor, ku ka qëndruar fillimisht në Maqedoninë e Veriut dhe pas Kosovës, ajo do të vizitoj edhe Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.

Vizita vjen pas takimeve që Von der Leyen pati në Shqipëri në fillim të këtij muaji, në datat 15-16 tetor, ku mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:19
Von der Leyen: Kosova të nisë zbatimin e Asociacionit, Serbia të pranojë njohjen de-facto

1698675568_kjsahd.jpg

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ftojmë Kosovën të nisë procedurën për zbatimin e Asociacionit, kurse Serbia duhet të pranojë njohjen de-facto. Kjo është mënyra e vetme për të shkuar përpara”, tha Von der Leyen.

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani në Prishtinë, Von der Leyen në një konferencë për media tha se pas Kosovës do të udhëtoj për në Mal të Zi dhe Serbi.

“Edhe në Serbi atje do ti diskutoj edhe hapat që duhet të ndërmerr Serbia për njohjen de-facto”, tha Von der Leyen.

Von der Leyen ka ripërsëritur sërish që dënojnë ashpër sulmin e dhunshëm të 24 shtatorit që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, derisa shtoi se kryerësit duhet të sillen para drejtësisë.

Presidentja e Komisionit Evropian më tej shtoi se BE-ja është shumë e zotuar për të ardhmen e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ajo foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ku u shpreh se është një momentum i ri në raportin BE-Kosovë.

“Më kujtohet viti i kaluar që të dyja ne bëmë thirrje për liberalizim të vizave, dhe tani mund të them se ia dolëm. Që nga 1 janari kosovarët mund të gëzojnë lëvizjen e lirë. Kjo është një mënyrë fantastike për ti afruar njerëzit”, tha Von der Leyen.

Von der Leyen tutje u shpreh se përveç përafrimit të njerëzve, duhet të përafrojmë edhe ekonomitë tona.

“Ne kemi planin 30 miliardësh investimesh për Ballkanin Perëndimor”, tha Von der Leyen.

Ora 14:59
Osmani i kërkon Von Der Leyen heqjen e masave nga BE: Jemi angazhuar për deeskalim, jemi koordinuar me aleatët

1698674274_osm.jpg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët për mediat me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur edhe për heqjen e masave të vendosura nga BE.

Ajo tha se institucionet e Kosovës kanë treguar angazhim konkret për deeskalim të situatës dhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatë dhe partnerë.

Osmani gjithashtu tah "Vetëm në javët e fundit kemi qenë dëshmitarë të këtyre ambicieve të destabilizuese që rezultuan me aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator që u krye nga grupe terroriste, paramilitare të Serbisë".

“Në takim potencova edhe rëndësinë dhe nevojën e largimit të masave të vendosura ndaj Kosovës. Institucionet tona përgjatë muajve të kaluar kanë treguar jo vetëm angazhim konkret për deeskalim të situatës, por edhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët tanë. Njëkohësisht, institucionet tona kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për të garantuar zgjedhje të reja e të lira por për fat të keq, adresa e këtyre pengesave vazhdon të mbetet në Beograd. Krahas sfidave kolektive globale, theksova se sfidat komplekse që po kalon Republika e Kosovës janë si rezultat i përpjekjeve destabilizuese të Serbisë. Vetëm në javët e fundit kemi qenë dëshmitarë të këtyre ambicieve të destabilizuese që rezultuan me aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator që u krye nga grupe terroriste, paramilitare të Serbisë. Siç i shpreha von der Leyen, ne duhet të jemi të bashkuar për të refuzuar dhunën si mjet për arritje të qëllimeve keqdashëse të cilat minojnë edhe vetë vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE. Kosova është e përkushtuar për të respektuar Kushtetutën e saj e cila ofron të drejtat më të avancuara për komunitetet joshumicë jo vetëm në rajon por në të gjithë kontinentin tonë", tha Osmani.

Osmani i ka bërë thirrje Serbisë që t’i ekstradojë të gjithë personat që janë të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit.

“Grupi terrorit i përfshirë në sulmin e 24 shtatorit duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të aplikojmë standardet më të larta për gjykim të drejtë dhe i bëjmë thirrje Sebisë që t’i ekstradojë individët dhe zyrtarët që ishin pjesë e  planifikimit, financimit dhe organizimit të këtij akti terrorist", tha Osmani.

Në fund të takimit ajo falenderoi von der Leyen për vizitën, përpjekjet, punën, mbështjetjen dhe miqësinë.

Ora 14:54
Vjosa Osmani kërkon statusin e vendit kandidat për Kosovën në BE

1698674046_vjods.jpg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët me presidenten e Komisonit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar vendin e statusit kandidat për Kosovën në BE, në një proces të bazuar me merita.

“Vitin e kaluar Bashkimi Evropian mori vendime të rëndësishme duke i dhënë statusin e vendit kandidat Ukrainës, Moldavia dhe Bosnje e Hercegovina, këto ishin vendim strategjike të cilat rikonfirmuan përkushtimin e BE ndaj vendeve që kërkojnë anëtarësim dhe i kundërpërgjigjen sifidimit ndaj regjimeve autoritare siç është i Putinit. Është e rëndësishme në mbledhjen e dhjetorit të Këshillit të BE-së, BE-ka të avancojë edhe statusin kandidat  për Kosovën gjithnjë në një proces të bazuar me merita”, tha Osmani.

Ora 14:50
Von der Leyen: Autorët e sulmit në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë

1698673794_lkjed.jpg

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur rreth agresionit të Serbisë në Kosovë më 24 shtator.

Ajo në një konferencë për media të mbajtur pas takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, e dënoi fuqishëm sulmin ku u vra polici Afrim Bunjaku.

“Unë i shpreh ngushëlimet më të sinqerta familjes dhe miqve të policit të vrarë”, tha von der Leyen.

Von der Leyen tha se autorët duhet të sillen para drejtësisë.

“Ky sulm është i papranueshëm dhe bie ndesh me vlerat evropiane”, tha von der Leyen në konferencën për media pas takimit më presidenten Osmani.

Ora 14:42
Osmani: Von der Leyen më prezantoi planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor

1698673364_von.jpg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen kishin diskutuar kryesisht për planin e ri të rritjes për Ballkanin Europian.

Osmani tha në një konferencë të përbashkët për media se takimi i sotëm u fokusua në planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, të cilin e prezantoi presidentja von der Leyen, të cilin e quajti hap të rëndësishëm drejt integrimit tonë në tregun e përbashkët europian.

“Ky plan parasheh mbështetjen e Bashkimit Europian nëpërmjet rritjes së asistencës financiare për reformat të cilat duhet të ndërmerren në procesin integrues”, tha presidentja.

Ora 14:02
Von der Leyen takohet sot me Kurtin dhe Osmanin, reagon Szunyog: Pres diskutime të frytshme

1698670852_sz.jpg

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka mirëpritur presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ai tregoi se presidentja e KE-së do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, ndërsa theksoi se pret diskutime të frytshme. 

“E mirëprita presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila mbërriti sot në Kosovë, në kuadër të vizitës së saj katërditure në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Malin e Zi, Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë. Ajo do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurtin. Në pritje të diskutimeve të frytshme”, shkroi Szunyog. 

Gjatë vizitës së saj në Prishtinë, Von der Leyen do të takohet me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti. Takimi me presidenten Osmani do të nis në orën 13:15, dhe pas përfundimit të tij do të ketë edhe konferencë për media. Takimi me Kurtin do të mbahet rreth orës 14:40, është bërë e ditur në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit. 

Ora 13:25
Von der Leyen mbërrin në Kosovë, pritet nga Presidentja Vjosa Osmani

1698668699_klan.jpg

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen ka mbërritur në Kosovë, në kuadër të turit ballkanik që po zhvillon. Ajo është pritur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani dhe Von der Leyen pas takimit do të mbajnë një konferencë për media. Gjatë vizitës së saj në Prishtinë, Von der Leyen do të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin, Albin Kurti

Ndërsa takimi me kryeministrin Kurti do të mbahet rreth orës 14:40, është bërë e ditur në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit./KlanKosova

S.S/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë