Operatorët turistikë të Jugut zhvilluan sot një takim të përbashkët për të diskutuar situatën e prenotimeve dhe ecurinë e sezonit turistik, në dritën e zhvillimeve të fundit në vend dhe ndikimit që ato po reflektojnë në sektorin e turizmit.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të bizneseve që operojnë në fushën e turizmit në Vlorë dhe zonat përreth.

Takimin e ka çelur kreu i operatorëve të jugut Vasil Bedinaj ,i cili në fjalën e tij vuri theksin te ecuria e këtij fillimsezoni turistik në Vlorë.

"Ka qenë një shqetësim i madh, ai i anulimeve, pyetjeve dhe pikëpyetjeve nga bashkëpunëtorët tanë jashtë Shqipërisë. Cdo detaj  ndikon në këtë vend turistik. Mesazhi ishte i qartë: të gjithë operatorët turistikë në Vlorë, janë për një Vlorë turistike, të zhvilluar, që të mirëpresë të gjithë ata që duan të investojnë në Shqipëri. Duhet të arrijmë standardet e të shkojmë drejt një turizëm elitar e të ngrejmë brand-e. Ne nuk jemi të aftë të ngremë peshën e një brand-i por na nevojiten njerëz që kanë mundësi të investojnë dhe kanë një emër në portofolin e tyre. I mblodha të gjithë bashkë për të diskutuar anulimet se kemi pritur 10 muaj për të punuar 3 muaj. Nuk mund të jemi në dilemë apo frikë se po ndodh diçka në Tiranë dhe do ta pësojmë ne. Me respektin më të madh për ata që protestojnë duhet të gjejmë kohën dhe momentin kur të protestojmë. Ta bëjmë në nëntor protestën kur nuk i prishim punë askujt. Kjo na bën të dyshojmë që këtu ka influenca të ndryshme, ka anti-marketing, ka fonde pafund që Shqipëria të mos futet në hartën turistike” tha ai.

Në fjalën e tyre operatorë dhe biznese turistike familjare kanë kërkuar vijimësinë e projekteve zhvilimore në qytetin bregdetar ndërsa janë shprehur të keqardhur nëse protestat në Tiranë  përdoren si antireklamë.

Duhet të jemi bashkë për të ecur para dhe të lëmë mënjanë konfliktet,ftesa e përbashkët në fjalën e përfaqësuesve të biznesit turistik në takimin e sotëm.

Të tjerë përfaqësues të biznesit duke e quajtur sukses stadin e deritanishëm të zhvillimit të  biznesit turistik në Vlorë  kanë kërkuar të ruhet kjo klimë pozitive e krijuar referuar prenotimeve të të huajve.

Por sipas tyre, gjatë ditëve të fundit janë shtuar telefonatat dhe mesazhet nga klientë të ndryshëm, të cilët kërkojnë informacion mbi situatën në Vlorë dhe Shqipëri, duke pyetur nëse ka probleme sigurie apo tensione që mund të ndikojnë në pushimet e tyre.

“Ne jemi biznese që operojmë në sektorin e turizmit dhe misioni ynë është të ofrojmë mikpritje. Turistët zgjedhin të vijnë tek ne sepse duan të kalojnë pushime të këndshme, jo sepse i detyron ndonjë nevojë. Për këtë arsye, çdo perceptim negativ që krijohet për destinacionin tonë ndikon drejtpërdrejt tek rezervimet dhe tek imazhi që kemi ndërtuar me shumë mund ndër vite”, u shprehën përfaqësuesit e sektorit.

Ata theksuan se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm për sa i përket pozicionimit në tregun turistik ndërkombëtar dhe se vendi nuk mund t’i lejojë vetes një ndërprerje të trendit pozitiv që është krijuar vitet e fundit.

Operatorët kujtuan se turizmi nuk prek vetëm hoteleritë dhe strukturat akomoduese, por një zinxhir të tërë ekonomik që përfshin familje të shumta, biznese shërbimi, banka financuese dhe kontrata me operatorë të huaj, të cilat shpesh shoqërohen edhe me penalitete financiare në rast anulimesh.

Megjithatë, përfaqësuesit e biznesit turistik vlerësuan karakterin paqësor të protestave dhe të drejtën e qytetarëve për të shprehur qëndrimet e tyre politike.

“Ne e respektojmë plotësisht të drejtën e çdo qytetari për të protestuar dhe për t’u dëgjuar. Ka njerëz që nuk ndihen të përfaqësuar politikisht dhe kjo është një e drejtë demokratike. Por gjykojmë se momenti i zgjedhur për këto zhvillime është problematik, pasi përkon me kulmin e sezonit turistik dhe potencialisht mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme ekonomike”, u shprehën ata.