Turistët shqiptarë: Alo, ngecëm
në Egjipt, s’kemi si të kthehemi

TIRANE - Duhej të ishin pushime ëndrrash, ashtu siç premtojnë reklamat kur flitet për në Sharm el Sheikh të Egjiptit. Por nuk janë të tilla për 189 turistë shqiptarë. Udhëtimi i ndërmarrë nga agjencia turistike “Pasha Holiday” nisi më 2 gusht dhe duhet të përfundojë të hënën më 13 gusht.  Por “Pushimet ëndërrimtare” u kthyen në mankth që në ditën e tretë të tyre, kur panë veten jashtë hotelit me gjithë valixhe. Pronarët e hotelit i kishin deklaruar se kompania kishte paguar qëndrimin vetëm për 3 ditët e para, dhe nuk kishin paguar për ditët e tjera. Pas ndërhyrjes kompania kishte shlyer tek hotelet e Sharm el Sheikh pagesën dhe për ditët e tjera të qëndrimit, por çështja ngeci tek kthimi. Atyre u ishte deklaruar se kompania “Pasha holiday” kishte falimentuar prandaj duhej të bënin vetë pagesën e kthimit.

“Kemi ngelur në Egjipt, Sharm El Sheikh. Na thonë se ka falimentuar kompania “Pasha Holiday” që kemi bërë prenotimin e pushimeve. Na thojnë që pritini vetë biletat e kthimit. Në Tiranë kur shkoi mami tek “Belle Air” i thanë që biletat e kthimit kushtojnë 250 euro personi. Jemi 189 veta dhe po na ikën truri. Disa këtu nuk kanë asnjë lekë as për buke jo më për bileta. Kthimi është parashikuar me dt 13, (i bie e hënë) dhe ne do të mblidhemi të gjithe tek aeroporti i Sharmit dhe do të presim atje. Të perqafojmë” - ky është mesazhi i Indrit Kalleshit, një prej 189 turistëve shqiptarë në mes të Sharm El Sheikh, që i ka dërguar familjarëve dhe këta të fundit bënë publik shqetësimin në media.

BORXHI 125 MIJË DOLLARË I “PASHA HOLIDAY”
Drejtuesi i agjencisë së Egjiptit, që ka patur marrëveshje me Pasha Holidey, i kishte shpjeguar kështu problemin: "Pronarja e agjencisë “Pasha Holiday”, me qendër në Tiranë, më përpara ka qenë e punësuar tek kjo kompani. Më pas ka hapur kompaninë e vet, “Pasha Holiday” ndërsa i detyrohej kompanisë egjiptiane 125000 dollarë. Agjencia egjiptiane i ka mbajtur paratë si borxh që duhej të shlyente pronarja e “Pasha Holiday”, dhe me to nuk ka paguar as hotelet dhe as avionin"

NE MES TË RRUGËS
Turistët janë në tension pasi nuk dinë se si do të kthehen në Shqipëri. “Tani kemi ngelur në mes të rrugëve” - të thonë ata. “Një person me emrin Bajram, na u prezantua si drejtor i fondacionit “Besa” dhe na tha se do të merrte përsipër të bëjë kontratën me “BelleAir” dhe ato duhej të paguanin secili nga 250 euro” na thotë një turist.

Një version tjetër është ai i Eno Rroshit dhënë në një lidhje telefonike me redaksinë tonë, ndërsa ai ndodhet në Sharm el Sheikh.

“Një person me emrin Arbër, na erdhi dhe na tha se nëse nuk do të paguajmë 250 euro, secili, për biletën atëherë do të na lërë aty dhe do të kthehet vetëm me familjen e tij”.
Aktualisht turistët ndodhen në hotele, pasi i është paguar qëndrimi në hotele deri të hënën por ajo që nuk dinë ështe sesi do të kthehen në Shqipëri. Nëse duhet të bëjnë pagesë ekstra apo do jetë pjesë e paketës, siç ishte parashikuar që ditën e parë kur kishin nisur drejt Sharm el Sheikh.
Paketat nisnin nga 1080 euro ( e thjeshta) - deri në 1800 euro, (ku përfshihet gjithçka).

A1Report vizitoi dje pasdite ambientet e "Pasha Holiday", tek rruga e Durrrësit, për t’u interesuar si do i vejë halli 189 turistëve, por dera ishte mbyllur, mungonte një numër kontakti, dhe askush nuk jepte një përgjigje.

Ndërkohë që ministria e Jashtme i ka marrë në telefon për t'i thënë që do e zgjidhin por asgjë më  shumë.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

NJË NGA NE/ Artizania fierake rikthen veshjen myzeqare: Duhet mbrojtur nga UNESCO

NJË NGA NE/ Artizania fierake rikthen veshjen myzeqare: Duhet mbrojtur nga UNESCO