TIRANË – Në prag të fillimit të sezonit turistik për vitin 2012, policia e shtetit ka lajmëruar marrjen e masave për shtetasit e huaj dhe ata kosovarë që mund të përfshihen në incidente apo aksidente rrugore.
Zëdhënësja e policisë së shtetit, Klejda Plangarica bëri sot të ditur se, sa i takon shtetasve të huaj që do vizitojnë Shqipërinë për turizëm, në rast kundravajtje do tu komunikohet shkelja nga polici i shërbimit dhe do të këshillohen.
Raporti i ngjarjes i përpiluar nga punonjësi do t’i dërgohet selive diplomatike të akredituar në vendin tonë dhe drejtorisë konsullore në MPJ në kryeqytet.
Ndërsa, për shtetasit kosovarë që do të kalojnë pushimet në vendin tonë, raporti I shkeljeve do t’i kalojë policisë së Kosovës.

AKSIDENTET
Në rastet kur turistët e huaj apo ata nga Kosova do të përfshihen në incidente apo aksidente rrugore, atëherë për ta do të zbatohet Kodi Penal dhe ai Rrugor i Republikës së Shqipërisë.
Plangarica tha se nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë do të ketë inspektime të herëpashershme në Komisariatet e Policisë, si edhe degët e Policisë Rrugore në rrethe.


GJOBAT
Policia e Shtetit ka apeluar edhe një herë drejtuesit e automjeteve, rezident në Shqipëri, që për gjobat në raste shkeljesh të konsultohen me faqen online të Drejtorisë së Përgjithshme të policisë, www.asp.gov.al, ku në rubrikën “Shërbime për qytetarët” është vendosur linku “Kontroll për kundravajtjet rrugore”.

(aq/shqiptarja.com)