Turizmi, gastronomia, historia dhe trashëgimia kulturore e qytetit të Lezhës në të gjitha dimensionet e saj janë prezantuar këtë herë në një mbrëmje të veçantë të organizuar në Prishtinë. “Nata Lezhjane në Prishtinë”, bëri bashkë personalitete të dy vendeve, të cilët shijuan e vlerësuan që nga resurset natyrore, kulinaria, historia dhe turizmi i qytetit bregdetar.
“Në Lezhë si në qytetet e tjera të Shqipërisë kemi qenë disa herë. Realisht, kënaqemi, pasi është zhvilluar shumë në aspektin infrastrukturor por edhe të turizmit. Është ngritur niveli i turizmit e njohim sidomos tek ushqimet tradicionale”, tha një nga pjesëmarrësit.
“Kush është ai shqiptarë që nuk e njeh Lezhën, e cila ka aq shumë tradita të bukura shqiptare. Lezha është gërshetim i të gjithë të mirave që i ka dhënë Zoti”, tha një tjetër.
Për kryebashkiakun Pjerin Ndreu, qyteti është një atraksion i veçantë turistik prej vitesh i preferuar nga shqiptarët e Kosovës.
“Lezha është epiqendra e turizmit që vjen nga të gjithë trojet shqiptare, ku në fakt shqiptarët e kosovës zënë rreth 65 % të klientelës në Shëngjin”, tha Pjerin Ndreu.
Çdo sezon veror bregdeti i Shëngjinit dhe Tales mbeten ndër destinacionet kryesore për bashkëkombësit shqiptar të Kosovës, të cilët e zgjedhin për të pushuar.