Pranë brigjeve të liqenit Vërmicë–Fierzë, në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, janë mbledhur kampistë dhe adhurues të natyrës e sporteve ujore nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit, duke e shndërruar këtë zonë kufitare në një qendër të aventurës, rekreacionit dhe shkëmbimit kulturor.
Aktiviteti po zhvillohet në kuadër të edicionit të parë të Festivalit të Kampingut në Prizren, një nismë që synon promovimin e turizmit të aventurës dhe të bukurive natyrore të rajonit. Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se festivali është një mundësi e mirë për të promovuar potencialet turistike të zonës dhe për ta kthyer Prizrenin në një destinacion të rëndësishëm për aktivitetet në natyrë.
“Kemi një peizazh që do ta përdorim për të promovuar jo veç qytetin, por edhe bukuritë natyrore, turizmin, kulturën sepse ndonjëherë kjo është edhe kulturë e veçantë e kampingut”, tha Totaj.
Sipas organizatorëve nga Shoqata e Kampingut “Oasis”, festivali do të zgjasë tri ditë dhe synon të nxisë zhvillimin e kulturës së kampingut në Kosovë, duke marrë shembull nga përvoja e Shqipërisë, ku ky lloj turizmi është më i konsoliduar.
Programi i festivalit përfshin aktivitete sportive ujore, veprimtari kulturore, performanca muzikore dhe vizita në pika të ndryshme kampingu në Kosovë. Organizatorët kanë paraparë që festivali të mbyllet me një zjarr kampi dhe një mbrëmje festive.
Ky festival pritet të shërbejë si një platformë e re për promovimin e turizmit të qëndrueshëm, bashkëpunimit ndërkufitar dhe njohjes së pasurive natyrore që lidhin Kosovën dhe Shqipërinë.
Komente






