Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar marrjen e një sërë masave për lehtësimin e procedurave të ankorimit dhe lëvizjes së mjeteve lundruese, si jahtet dhe anijet turistike, në bregdetin shqiptar gjatë sezonit turistik veror. Këto masa lehtësuese, që MIE thekson se i ka marrë me synimin për nxitjen e turizmit gjatë verës, janë sanksionuar përmes udhëzimeve të dala nga Drejtoria e Përgjithshme Detare më 22 maj e 21 qershor.
Të gjitha jahtet turistike, sipas këtyre udhëzimeve do të bëjnë njoftim në hyrje vetëm në portin e parë që prekin dhe në portin e fundit përpara se të largohen nga ujërat e Republikës së Shqipërisë. Lëvizja e tyre brenda porteve dhe ujërave territorialë të vendit tonë për një periudhë njëmujore do të mjaftohet vetëm me njoftimin e Kapitenerisë së Portit përkatës, me përjashtim të rasteve kur nga drejtuesit e mjeteve lundruese kërkohet të kryhen shërbime të ndryshme portuale.
Leja e nisjes për anijet turistike për transport pasagjerësh do të bëhet një herë në javë nga Kapiteneria e Portit përkatës dhe inspektorët e kalatave do të kryejnë kontrolle të vazhdueshme në këto mjete lundruese para nisjes dhe mbërritjes në port. Ministria thekson se anijet për pasagjerë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në ujërat e brendshme duhet të pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm për kryerjen e këtij aktiviteti brenda datës 1 korrik. Mosplotësimi i dokumentacionit do të sjellë bllokimin e aktivitetit të tyre.
Ndërsa mjetet lundruese për pasagjerë me flamur shqiptar, nën 42 m, që kryejnë udhëtime bregdetare brenda 25 miljeve detare, me pikënisje dhe pikëmbërritje një port të Republikës së Shqipërisë dhe që lundrojnë brenda ujërave territorialë do të trajtohen me ekuipazh si mjete lundrimi portuale.
Mjetet lundruese për pasagjerë nën 42 m, me flamur shqiptar, përfshirë anijet e drurit dhe ata nën 300 GT, duhet të kenë të instaluar në bord “Automatic Identification System” (AIS). AIS-i duhet të mbahet në punë gjatë kohës që mjeti lundrues prek portet apo lundron në ujërat territorialë dhe Zonat Ekonomike Ekskluzive të Republikës së Shqipërisë./Monitor