TEA, akronim në anglisht për ngjarjet turistike në Shqipëri, lindi në vitin 2023, si një aplikacion për t’i ardhur në ndihmë vizitorëve të shumtë në vend, një guidë dixhitale me informacione praktike, të dhëna për zonat turistike dhe aktivitetet kulturore. Falë të dhënave të grumbulluara nga përdoruesit e saj, Agjencia Kombëtare e Turizmit organizoi për herë të parë edhe Çmimet Tea 2026. Sipas Zana Çelës, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Turizmit,
“TEA sot është një platformë që bashkon jetën turistike, kulturore dhe artistike të vendit. Çmimet e kësaj mbrëmjeje burojnë drejtpërdrejt nga sjellja reale e përdoruesve dhe nga impakti që destinacionet dhe eventet kanë krijuar tek publiku.”
Shtatë kategori kryesore vlerësuan qytetet më aktive në organizimin e festivaleve, eventeve sportive, teatrore dhe aktiviteteve kulturore, ndërsa u shpërblyen edhe eventet më të klikuara nga përdoruesit, si dhe hotelet, restorantet dhe agroturizmat më të vizituara në platformë.
Gjirokastra është konsideruar si qyteti me më shumë aktivitete autentike. Pogradeci u shpall qyteti me më shumë aktivitete sportive, me Maratonën Enkelana si eventi sportiv më i pëlqyer në aplikacionin TEA.
Festa e Birrës në Korçë mori çmimin si eventi më i mirë i festave lokale mes shumë çmimeve të ndara në mbrëmjen gala të martën në edicionin e parë të çmimeve TEA.
Çmime u dhanë gjithashtu për festivalet kulturore, trashëgiminë turistike dhe eksperiencat më të kërkuara nga vizitorët vendas dhe të huaj.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili e cilësoi turizmin si një sektor që duhet të sjellë zhvillim të qëndrueshëm dhe cilësi jete për qytetarët:
“Turizmi nuk duhet parë vetëm si statistikë numrash, por si një vlerë e shtuar për ekonominë dhe jetën e përditshme. Shqipëria duhet të jetë një vend ku jetohet bukur dhe ku mikpritja kthehet në eksperiencë.”
Ceremonia “TEA Awards” synon të kthehet në një traditë të përvitshme për promovimin e turizmit gjithëvjetor dhe promovimin e Shqipërisë përmes teknologjisë dhe të dhënave digjitale. Gjatë aktivitetit u shpallën edhe risitë e reja në aplikacion, ku është integruar edhe realiteti i shtuar dhe audioguida për destinacionet.
Komente







