Vllaznia e futbollit U-17 është shpallur kampione në turneun e të rinjve që u zhvillua në Siçili. Mes pesë skuadrave në kategorinë e tyre, djelmoshat kuqeblu kanë mundur 2-0 në finale skuadrën e Segatos. Djemtë e trajnerit Gilman Lika kanë bërë një paraqitje fantastike në Itali, teksa kanë fituar 3 ndeshje dhe barazuar dy.
Për t'u theksuar është se U-17 e Vllaznisë nuk ka pësuar asnjë gol, duke shënuar 13-të. Rezultati më i thellë ishte fitorja 7-0 kundër moshatarëve të Invictus. Në këtë turne, lojtari më i vlefshëm për U-17 u shpall Aris Alla, futbollisti i Vllaznisë. Veç moshave U-17, Vllaznia u përfaqësua edhe me moshat U-14, me këta të fundit që zunë vendin e katërt.
Tanimë suksesi i Vllaznisë në një turne si ai i Siçilisë ka bërë që drejtuesit të shohin më shumë te 'fidanishtja' shkodrane, që vit pas viti furnizon ekipin e parë me elementë të rinj.