/ATSH-ANSA/ - Egoizmi duhet lënë mënjanë dhe duhet formuar sa më shpejt të jetë e mundur një qeveri e re, deklaroi sot presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan në diskutimin e parë publik që pas mbarimit të zgjedhjeve parlamentare, javën e kaluar, duke hapur kështu mundësinë e koalicioneve qeveritare.

"Të gjithë ne duhet të respektojmë vullnetin e popullit pasi rezultatet elektorale tregojnë se Turqia nuk do të mbetet pa qeveri", theksoi ai.
Erdogan foli sot në një ceremoni diplomimi të studentëve të huaj në Turqi.

Në një diskutim rreth gjysmë ore, shefi i shtetit turk i ftoi të gjitha partitë të reagonin me përgjegjësi për të ruajtur stabilitetin e vendit.