Turqi/ Kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, dërgohet në gjykatë! Opozita ende në rrugë kundër Erdogan

Turqi/ Kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, dërgohet në gjykatë! Opozita ende në rrugë kundër Erdogan

Moment nga protesta në Turqi, 22 mars 2025

Katër ditë pas arrestimit, kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, u dërgua këtë mbrëmje në gjykatë, ku do të dëgjohet nga gjyqtarët që do të vendosin nëse do të konfirmojnë paraburgimin e tij apo do të urdhërojnë lirimin e tij.

Imamoglu mbërriti në Pallatin e Drejtësisë në Caglayan me një autokolonë prej 14 minibusësh, në të cilët ndodheshin gjithsej 90 të arrestuar në kuadër të hetimit për korrupsion dhe ryshfet. "Akuzat imorale dhe të pabazuara ndaj meje, nga raportet e fabrikuara deri te koha e nisjes së hetimeve, kanë për qëllim të minojnë reputacionin dhe besueshmërinë time," tha Imamoglu.

Për seancën është caktuar një ekip prej 34 prokurorësh. Prej ditës së djeshme, Pallati i Drejtësisë në Caglayan është vënë nën masa të forta sigurie nga policia turke, e cila ka rrethuar të gjithë zonën përreth. Sot, në ditën e seancës, përveç njësive speciale të policisë, janë vendosur edhe makinat ujë-hedhëse (Toma) rreth ndërtesës në formacion mbrojtës.

Policia gjithashtu ka ngritur një kordon sigurie, duke mbyllur hyrjen në katin e shtatë të pallatit, ku është planifikuar seanca në orën 21:00 sipas kohës lokale (19:00 me orën shqiptare). Përveç Imamoglut, sot do të dëgjohen edhe kryetarët e bashkive të rretheve Sisli (Resul Emrah Sahan) dhe Beylikduzu (Mehmet Calik), si dhe zyrtarë të tjerë të komunës, të gjithë të lidhur me partinë opozitare CHP.

Ndërkohë, opozita turke ka thirrur protesta të tjera për këtë mbrëmje në mbështetje të kryebashkiakut të Stambollit, ashtu siç ka ndodhur që nga dita e arrestimit të tij, të mërkurën, nën akuzat për "korrupsion" dhe "terrorizëm". Prokuroria pritet të vendosë sot për vazhdimin ose jo të paraburgimit të tij, pasi afati skadon nesër, ka njoftuar stafi i tij. Në rrugët e Stambollit tashmë janë mbledhur dhjetëra mijëra protestues.

Prefektura e Stambollit ka deklaruar se "nuk do të lejohet hyrja apo dalja në qytetin tonë e individëve, grupeve apo mjeteve që mund të marrin pjesë në aktivitete të paligjshme, si në mënyrë individuale ashtu edhe kolektive". Në një deklaratë të publikuar në faqen e saj zyrtare, prefektura ka ndaluar gjithashtu çdo tubim politik deri më 27 mars, duke zgjatur ndalimin e vendosur tashmë të mërkurën.

Kryetari i bashkisë së Stambollit u ka bërë thirrje mbështetësve të Partisë Popullore Republikane (CHP), forca kryesore opozitare në Turqi, që ta votojnë atë si kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2028. CHP ka organizuar nesër, më 23 mars, zgjedhjet paraprake për të zgjedhur kandidatin e saj për zgjedhjet presidenciale të ardhshme.

Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, Imamoglu, i cili ndodhet ende në paraburgim, ka ftuar "të gjithë shokët e partisë të dalin në votime", duke shtuar se "sovraniteti i përket kombit, pa kushte dhe kufizime". Sipas tij, është e domosdoshme të "mbrojmë republikën, demokracinë dhe të ardhmen e një Turqie të drejtë". Ai shtoi se do të vijë dita kur vendi "do të ketë të garantuara të gjitha të drejtat, demokracia do të arrijë nivelin më të lartë dhe shteti i së drejtës do të respektohet plotësisht".

Ekrem Imamoglu konsiderohet "armiku numër një" i Recep Tayyip Erdogan-it, i vetmi që ka mundur kandidatët e partisë AKP tre herë radhazi, duke i shkaktuar një disfatë të rëndë presidentit turk në qytetin e tij të lindjes, Stamboll.

Presidenti Erdogan ka akuzuar gjithashtu Partinë Popullore Republikane (CHP) se po përpiqet të krijojë "kaos" në Turqi pas protestave për arrestimin e Imamoglut dhe në prag të manifestimeve të reja.

"Duke filluar nga Stambolli, ata kanë tentuar të krijojnë kaos dhe tension në qytetet tona," deklaroi Erdogan gjatë një eventi në qytetin e Bosforit, të transmetuar nga televizioni shtetëror TRT.

"Ata kanë sulmuar forcat tona të policisë dhe kanë tentuar të kërcënojnë anëtarët e sistemit tonë të drejtësisë", shtoi ai, duke iu referuar përplasjeve mes protestuesve dhe policisë që kanë ndodhur në disa qytete.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:57
Arrestimi i kryebashkiakut Imamoglu në Turqi: X pezullon llogaritë e opozitës mes protestave!

Platforma e rrjeteve sociale X e Elon Musk ka pezulluar shumë llogari që i përkasin figurave të opozitës në Turqi, mes trazirave të përhapura në vend.

Pezullimi i llogarive vjen ndërsa protestat vazhdojnë, të shkaktuara nga arrestimi i kryetarit të bashkisë së Stambollit dhe kundërshtarit kryesor politik të presidentit turk Erdogan, Ekrem Imamoglu, me akuza për korrupsion dhe terrorizëm.

Protestat u përhapën pavarësisht se qeveria ndaloi tubimet për katër ditë. Shumë nga organizatorët e protestave, anëtarë të partive opozitare, studentë dhe aktivistë, po konstatojnë se llogaritë e tyre janë pezulluar, sipas Yusuf Jan, koordinator dhe analist në Programin për Lindjen e Mesme të Qendrës Wilson.

Dhe ai vuri në dukje se shumë prej këtyre llogarive i përkisnin "aktivistëve bazë" me ndjekës që arrinin në dhjetëra mijëra.

Disa llogari duket se janë pezulluar vetëm për përdoruesit në Turqi, ndërsa mbeten "të dukshme" për pjesën tjetër të botës. Aktivisti Omer Farouk Aslan krijoi një llogari të dytë për të shmangur censurën. 

“Dje, llogaria ime u bllokua me urdhër të gjykatës, sepse tweet-et kaluan 6 milionë shikime”, ka shkruar ai.

Ministri i Brendshëm i Turqisë Ali Yerlikaya shkroi në X se autoritetet kanë gjetur 326 llogari të mediave sociale që "shtypin urrejtjen", 72 prej të cilave ndodheshin jashtë vendit. Pas një operacioni të koordinuar kibernetik nga autoritetet, 54 persona u arrestuan për postimet e tyre në internet, informon media ndërkombëtare.

Ligji turk lejon veprime të tilla, si pezullimi, nëse kërkohet nga qeveria, pasi një ligj i vitit 2022 për mediat sociale i jep qeverisë pushtet të gjerë dhe të paqartë mbi përmbajtjen e postuar në platforma.

Kjo nuk është hera e parë që X ka kufizuar aksesin në përmbajtje online në vend. Në vitin 2023, kur Erdogan u rizgjodh, X kufizoi përmbajtjen "për të siguruar që Twitter të mbetet i disponueshëm për popullin e Turqisë".

Qasja në platforma të tjera të mediave sociale si TikTok, Instagram dhe YouTube është kufizuar gjithashtu në Turqi. X përmbushi rreth 86% të kërkesave të qeverisë për heqjen e përmbajtjes në gjysmën e dytë të 2024 në Turqi, krahasuar me 68% në gjysmën e parë të vitit, sipas raporteve nga organizatat e transparencës.

Ora 21:23
Kryebashkiaku i Stambollit del para gjykatës, përplasje të forta mes mbështetësve të tij dhe 5 mijë policëve (VIDEO)

Situata është tensionuar jashtë Gjykatës së Stambollit, ku mijëra mbështetës të kryetarit të bashkisë, Ekrem Imamoglu, janë përplasur me forcat e policisë. Pavarësisht ndalimit të protestave deri më 27 mars, demonstruesit vazhduan të qëndrojnë jashtë gjykatës duke brohoritur slogane pro Imamoglu-s, ndërsa policia u përpoq t’i shpërndante me ujëhedhës dhe dronë mbikëqyrës.

Mbi 5,000 forca policore u dislokuan për të ruajtur rendin, duke rrethuar gjykatën me masa të rrepta sigurie. Kryetari i bashkisë, i arrestuar nën akuzat për korrupsion dhe lidhje me terrorizmin, i cilësoi këto pretendime si të pabaza dhe të motivuara politikisht. Ndërkohë, mijëra qytetarë janë mbledhur edhe pranë bashkisë së Stambollit për të protestuar kundër qeverisë së Erdogan-it.

K.M/A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 24 Mars, 23:36

    Zgjedhjet e 11 majit, a i besoni premtimet e partive?



×

Lajmi i fundit

'Vlerë kishte rezultati', Kristjan Asllani: Shehu më ngjan në fushë, shumë teknik

'Vlerë kishte rezultati', Kristjan Asllani: Shehu më ngjan në fushë, shumë teknik