ANKARA, 17 gusht /ATSH-AFP/ - Partia nacionaliste në Parlamentin turk ka refuzuar edhe një herë një propozim për aleancë, deklaroi kryeministri turk, Ahmet Davutoglu duke shtuar se nuk shikonte më mundësi për formimin e një qeverie koalicioni në përfundim të zgjedhjeve legjislative në muajin qershor.
"Kreu i partisë Lëvizja Nacionaliste, Devlet Bahçeli më ka shprehur qartë se nuk shikonte mundësi për formimin e një qeverie me AKP-në, partia për Drejtësi dhe Zhvillim (islamo-konservatore) në pushtet që prej vitit 2002", theksoi ai në një konferencë shtypi.
"Kam bërë gjithçka, kam provuar të gjitha format e mundshme (...) por nuk ka pasur rrugë të mundshme për një koalicion", shtoi Davutoglu në përfundim të një takimi me Bahçelin.
Kryeministri përmendi si mundësi të vetme thirrjen e zgjedhjeve të reja, në vjeshtë, për zhbllokimin e krizës politike.
Vendi ka afat deri më 23 gusht për të gjetur një formulë që do të mundësonte shmangien e zgjedhjeve të parakohshme./
/ec/












