/ATSH/.- Zëvendësministri i FSK-së, Fadil Gashi po merr pjesë në Panairin e 12 Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes, në Stamboll.

Në ceremoninë e çeljes së këtij panairi kanë marrë pjesë Presidenti i Republikës së Turqisë, Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë dhe delegacione të larta ministrore dhe ushtarake të rreth 80 shteteve.

Gjatë qëndrimit në Stamboll, zëvendësministri Fadil Gashi ka realizuar një varg takimesh me personalitete politike dhe ushtarake të vendeve të ndryshme.

Takimi më i rëndësishëm ishte ai me homologun turk, zëvendësministrin e Mbrojtjes, Hasan Kemal Jardëmxhë. Në këtë takim, zëvendësministri Gashi vlerësoi lart mbështetjen e dhënë në të gjitha fushat nga ana e Qeverisë së Republikës së Turqisë përkatësisht Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Turqisë, në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së.
Zëvendësministri Jardëmxhë vlerësoi lart arritjet e MFSK-së dhe FSK-së, duke shprehur fuqishëm gatishmërinë për mbështetje të vazhdueshme dhe ngritjen e bashkëpunimit në mes dy vendeve mike, dy ministrive përkatëse si dhe Forcave të Armatosura të Turqisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjatë kësaj vizite, Gashi vizitoi edhe stafin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stamboll, si dhe takoi shumë oficerë të FSK-së që trajnohen në qendrat ushtarake në Stamboll.