BEOGRAD - Turqia nuk do t’i kërkojë ndjesë Serbisë për deklaratat e bëra në tetor, nga kryeministri Recep Tayip Erdogan, në Kosovë. Ministri i Jashtëm i Ankarasë, Ahmet Davutoglu u deklaroi se ”fjalët e kreut të qeverisë turke ishin një shprehje e miqësisë kundrejt Serbisë”.
 
Në një intervistë të dhënë sot, për të përditëshmen e Beogradit ”Blic”, Davutoglu vuri theksin tek fakti se ”komentet e Erdoganit, të bëra gjatë një ceremonie në Prizren, në jug të Kosovës, nuk kishin synim politik dhe as ishin një përpjekje për shfaqjen e një politike ekspansioniste”.
 
“Në një përkufizim kulturor, kur në gjuhën turke dikush thotë se Kosova është vendi i tij, del në pah një tregues lidhjesh dhe marrëdhëniesh të ngushta kulture të këtij individi me vendin. Shpresoj siqerisht që kjo të jetë e mjaftueshme për të bërë të qarta synimet tona pozitive kundrejt qeverisë dhe popullit serb”, theksoi kryediplomati turk, i cili shtoi se ”një pjesë e vogël e një fjalie nuk duhej të citohej jashtë kontekstit të fjalimit të Erdoganit, ku pjesa më e rëndësishme e të cilit shpreh qartë se Turqia është njëtrajtësisht e afërt me të gjitha vendet e Ballkanit”.
 
”Nëse presidenti serb, Tomisllav Nikoliç do të vinte në Stamboll dhe aty deklaronte se ai është qyteti i tij, ne do ta duartrokisnim dhe nuk do të mendonim se po shfaqet ndonjë politikë ekspansioniste apo plan i këtij lloji kundrejt Turqisë,” përfundoi kryediplomati i Ankarasë, i cili vuri në dukje rëndësinë e marrëdhënieve serbo-turke për stabilitetin e Ballkanit.

Fjalët e Erdoganit në Prizren (Kosovë) rezultuan në anulimin nga presidenti serb Nikoliç të pejsëmarrjes së planifikuar në samitin tripalësh Serbi-Bosnje-Turqi.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)