Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka zhvilluar një takim me disa biznese përfaqësuese të sektorit të hotelerisë dhe restoranteve në Sarandë së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, Delina Ibrahimaj si dhe nga kryebashkiakun Adrian Gurma.

Denaj tha se për Sarandën po diskutohen projekte infrastrukturore për të shfrytëzuar të gjitha kapacitetet jo në një vit post pandemie, por në vitet e ardhshme

“Ky është një vit i vështirë, ne po diskutojmë projekte infrastrukturore për Sarandën për të shfrytëzuar të gjitha kapacitetet jo në një vit post pandemie, por në vitet e ardhshme sepse dhe këto duan kohë dhe vëmendje. Folëm me kryetarin e bashkisë dhe për pjesën e formalizimit. Ju nuk duhet që të bezdiseni që ne mund të ju marrim shpesh në telefon. Të gjitha këto janë sisteme që ju të jeni të lirë nga individët, por brenda sistemit ai informacion të ju thotë: Ju jeni në problematike, keni kaq kohë për ta rregulluar dhe kjo qasje të vijë duke u ndryshuar dhe të mos dukemi sikur vijmë për të ju vendosur gjoba apo për të goditur biznesin”, tha Anila Denaj.

Drejtoresha e tatimeve tha se për të gjitha strukturat hoteliere TVSH-ja do të jetë 6%, duke theksuar se cdo drejtori rajonale do të ketë regjistrin e vet siç e kanë edhe bizneset.

 “Çdo drejtori rajonale tatimore do të ketë regjistrin e vet siç e ka të biznese dhe do të ketë një xhiro në të cilën në gjykimin tonë, do jetë targeti për biznesin tuaj. Nëse do të shofim që do të ketë rënie të xhiros do të ju marrim në telefon herën e parë dhe të ju themi: 'Shiko se po bie”, tha Drejtoresha e Tatimeve.

Kryeministri Edi Rama shpërndau në profilin e tij videon e takimit me bizneset duke theksuar se  falë konsolidimit ndër vite dhe nismave për investime dita – ditës po rimëkëmben.

 "Sarandë – Në turin e komunikimeve të drejtpërdrejta me biznesin, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj dhe Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj me disa biznese përfaqësuese të sektorit të hotelerisë dhe restoranteve, që falë konsolidimit ndër vite dhe nismave për investime dita – ditës po rimëkëmben. Edhe pse në situatë të pazakontë, shkaktuar nga pandemia, bizneset janë optimiste se shifrat e rritjes do të jenë pozitive deri në fund të sezonit", shkruajti Rama.