Këshilli i Ministrave ka propozuar një projektligj për uljen e TVSH-së për turizmin në 6%. 

Vendimi i qeverisë është një lehtësim për sektorin e turizmit që synon nxitjen e investimeve, uljen e çmimeve dhe rritjen e konkurrencës, kjo pasi bizneset do paguajnë 14% më pak Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Aktualisht TVSH për turizmin është 20%. 

Turizmi mbetet një nga sektorët më vital për ekonominë shqiptare i cili gjeneron të ardhura të konsiderueshme në buxhetin e shtetit dhe ekonominë familjare. 
 
"Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është 6 për qind. Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në projektligjin e propozuar nga qeveria.  

Ulja e TVSH për turizmin ka qenë një nga premtimet e kryeministrit Edi Rama dhe kërkesë e vazhdueshme e operatorëve turistikë. 

Projektligji:

PËR

NJË SHTESË NË LIGJIN NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:
Neni 1

Pas pikës 2, të nenit 49, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është 6 për qind. Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”. 

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com