Të dënuar tri herë, nga fashizmi, komunizmi dhe lënia në harresë përgjatë historisë! 

Të dënuar tri herë, nga fashizmi, komunizmi dhe lënia në harresë përgjatë historisë! 

Foto ilustruese nga AIDSSH

Me rastin e Festave të Nëntorit, ku celebrohet Pavarësia në 111-vjetorin e saj, Autoriteti i Dosjeve ndalet tek disa prej figurave që kontriubuan në mbërritjen e asaj dite në 28 nëntor të vitit 1912 si dhe të Çlirimit  të vendit nga pushtuesi nazist, 29 nëntor 1944. Përmes një shkrimi në mediet sociale, kujton lënien në harresë të disa prej të dënuarëve në Ventotene dhe ishujve të tjerë të italisë ku u internuan pasi kundërshtuan fashizmin, dhe më pas ata që i mbijetuan rikthimit u ndëshkuan pasi i bënë rezistencë sistemit komunist. 


"Shumë personalitete shqiptare kundërshtarë të fashizmit, të arsimuar në Perëndim, Francë, Austri, Gjermani, Itali, etj, zotërues të disa gjuhëve të huaja, aktivë në jetën kulturore, politike e shoqërore në vend, janë zhytur në harresën historike për sa i takon kontributit të tyre në lëvizjen antifashiste. Të dënuar në Ventotene dhe ishujt e tjerë italianë, ata u dënuan nga të dy sistemet, fashizmi e komunizmi, për shkak të dritës që përcillnin, të forcës intelektuale dhe të ndikimit të fuqishëm te të tjerët.
Për fatet dhe rolin e tyre në histori, shkruan studiuesja Ardita Repishti nga Istituto Storico Italiano per l’Età Moderna e Contemporanea në studimin: “Internimet politike të shqiptarëve gjatë pushtimit italian, profilet antifashiste gjatë luftës dhe pas saj”, mbajtur në simpoziumin e AIDSSH : “Tepelena në dy kohë- Nga kazermat italiane te kampi me tela me gjemba”, mbajtur në gusht në kuadër të Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, fashizmit, nazizmit e komunizmit.
Nga rreth 130 veta të dënuar në Ventotene, gati gjysma e tyre u ridënua pas kthimit në Shqipëri dhe vendosjes së regjimit komunist. Një pjesë u asgjësuan pa mbaruar ende lufta, si Safet Butka, (shtator 1943), Zai Fundo (shtator 1944), Ismail Karapici (shkurt 1944).
Një pjesë u larguan nga atdheu me vendosjen e regjimit, si Isuf Luzaj, (bashkëthemelues i Ballit Kombëtar dhe i Partisë Socialdemokrate),Abaz Ermenji (Balli Kombëtar), apo profesor Stavro Skendi (Legaliteti). Familjet e tyre në Shqipëri ishin ato që vuajtën zgjedhjen e profesorëve që shkëlqyen në Perëndim.", citohet nga Autoriteti.

Janë të shumta dhe nga më mizoret dënimet për këta figura historike, disa prej të cilave ndodhën në vend, me vdekje, burg, internim, mosushtrim të të drejtave e lirive, mohim të pronësisë intelektuale. 

"Mes tyre avokati Myzafer Pipa (i vdekur në hetuesi), kimisti Niko Lezo (i pushkatuar me intelektualët e bombës në ambasadën sovjetike), Faik Shehu (pushkatuar me grupin e deputetëve), Fazlli Frashëri (pushkatuar me pjesëmarrësit e Kongresit të Lushnjës), nacionalisti pejan Osman Taraku (pushkatuar nga gjyqi ushtarak i 1945), nacionalisti Ndue Pali (pushkatuar si eksponent i Ballit në 1945), Hasan Reçi (pushkatuar me grupin e dytë të deputetëve në 1948), shkrimtari Petro Marko (dënuar me burg, survejuar gjithë jetën, hequr disa herë e drejta e botimit) gjuhëtari Selman Riza (zotërues i 12 gjuhëve të huaja) transliteruesi i teksteve arbëreshe Izet Bebeziqi (zotërues i 11 gjuhëve të huaja), Dan Hasani (dënuar familjarisht), prof..Dr.Sulejman Lleshi, atentator në tentativë i Musolinit, (vrarë në burgun e Pejës, në 1946), Abdullah Shehri (po ashtu atentator në tentativë i Duces, i dënuar si ballist), botuesi Jean Gorguzi (i dënuar me burg), etj.Të tjerë, makina e pushtetit i gllabëroi rrugës, si Abdyll Këllezi, Ahmet Jegeni, Hamid Keci, Sadik Bekteshi, Pëllumb Dishnica, Zef Mala.Të tjerë zgjodhën të tërhiqen nga veprimtaria politike e të shkojnë një jetë të qetë.", thuhet më tej.

Autoriteti i Dosjeve thekson se  krijimi i tablosë së plotë të shqiptarëve të dënuar në Ventotene dhe ishujt kufitarë e më gjerë në të gjithë Italinë, në qendra të ndryshme të dedikuara, Bari, (Grumo), Perugia (Colfiorito, Monte Santa Maria Tiberina), si edhe në Shqipëri, është impenjativ.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë