Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Lezhës ditën e sotme ku në fshatin Mërqi, u vra me breshëri kallashnikovi, 64- vjeçari Gjin Marku. Së fundmi policia e Shtetit ka vënë në pranga edhe autorin e krimit, 50- vjeçarin Tonin Gjini i cili është dhëndër i familjes së viktimës.

E gjithë ngjarja sipas policisë ka ndodhur në orën 7:30 në një arë në Mërqi ku viktima Gjin Marku ushtronte detyrën si kryeplak. Nga hetimet e policisë thuhet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti ku autori i kishte kërkuar mikut të tij që t'i jepte barin që kishte korrur, por kjo nuk është pranuar nga viktima. Në momentin kur ka parë 64-vjeçarin që po mblidhte barin dhe po e ngarkonte në kamionçinën e tij, autori ka marrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të mikut të tij duke e lënë të vdekur në vend.

Viktima Gjin Marku

Pas vrasjes autori është larguar në këmbë së bashku me armën e krimit, ndërsa forca të shumta policie u vunë në ndjekje të tij dhe pas rreth 6 orëve në arrati u bë e mundur edhe kapja e tij. Në lidhje me ngjarjen policia ka shoqëruar 3 persona të cilët po mblidhnin barin me viktimën dhe po merren në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë i arrestuari do të përballet me akuzat e 'vrasjes me paramendim' si dhe mbajtja e armëve pa leje'.

Arma e krimit e sekuestruar