VLORË-  Tre persona kanë mbetur të plagosur gjatë një sulmi me armë zjarri në zonën e plazhit të vjetër në Vlorë, të ndodhur rreth orës 19:45 të pasdites së sotme. Personat që kanë mbetur të plagosur kanë qenë të ulur në një lokal në zonën e plazhit, kur janë qëlluar me armë zjarri nga atentatorët.

Gazetari i Report tv Armand Xhelili raporton se të plagosur kanë mbetur Arben Beqiraj pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja,  Egert Beqiraj dhe Nesim Hodaj. Dy autorët e identifikuar, me iniciale SH.L dhe E.XH janë konfliktuar fillimisht me fjalë me pronarin e lokalit, ndërsa më pas janë përdorur grushtet nga të dyja palët.

Pas konfliktit fizik dy autorët kanë shkuar tek makinat e tyre të parkuara jashtë lokalit nga ku kanë marrë një kallashnikov dhe një pistoletë me të cilat kanë qëlluar drejt Beqirajt, djalit dhe nipit të tij.

Një prej plumbave e ka kapur Arben Beqiraj në pjesën e kraharorit duke i shkaktuar atij plagë të rënda. Aktualisht ai ndodhet në sallën e operacionit në spitalin e Vlorës, ndërkohë që dy të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa dy persona të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje janë larguar në drejtim të Pyllit të Sodës. Burime nga policia bëjnë me dije se po punohet për kapjen e dy autorëve nga policia e Vlorës dhe FNSH-ja e Fierit. 

Ngjarja e rëndë ka tronditur pushuesit e ndodhur në zonë, të cilët janë larguar më herët se zakonisht në drejtim të banesave të tyre. Ata thonë se kanë vrapuar të shtrihen në rërë për të mos i kapur plumbat.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:42
Pushuesi flet pas sulmit me armë në Vlorë: U shtrimë barkas në rërë, partitë të mos hahen me njëra-tjetrën, të na shpëtojnë ne

Pushuesit që kanë qenë prezentë në momentin kur ndodhi ngjarja që tronditi Vlorën kane rrëfyer për Report Tv, momentet e tmerrit që kanë përjetuar. Njëri prej tyre thotë se janë shtrirë në rërë për të shpëtuar.

"Ndërkohë që ne pamë ngjarjes ishim barkas dhe kush e kush të futej më poshtë rërës që të shpëtonin. të gjithë ishim në plazh. Edhe fëmijë të vegjël u shtrinë në tokë. Pati të shtëna por nuk e pamë ngjarjen se kishim mendjen të fshiheshim. Dua të them dy fjalë për popullin. Është gjynah dhe turp që në këtë ditë kaq të bukur kur kemi  5 lekë për të ardhur dhe për të pushua, në vend që të pushohemi dhe të qetësohemi. E vetmja gjë që kërkoj është që partitë të mos hahen me njëri-tjetrin por të na shpëtojnë", thotë pushuesi.