TIRANE-Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion nis hetimet për kryebashkiakun e Bulqizës Lefter Alla pak orë pas publikimit të videos, ku Partia Demokratike aludon se zyrtari i lartë i pushtetit lokal zgjedhur nga PS-ja në zgjedhjet e 30 Qershorit konsumon kokainë. Hetimet e drejtuara nga prokurori Ened Nakuçi kanë nisur për të verifikuar situatën penale se ku ndodhet kryebashkiaku.

Por çfarë thotë Kodi Penal në Shqipëri? Sipas Kodit Penal, mbajtja e substancave narkotike në doza të vogla për përdorim vetjak nuk dënohet. Puna do të nisë nga sekuestrimi i videos së publikuar në media për të marrë më pas deklarimet përkatëse dhe për të parë se në çfarë situate penale do ta vendosë SPAK-u kryebashkiakun, raporton gazetari i Report Tv, Arsen Rusta.

Gjithashtu pritet për t'u parë nëse do të kërkohet pezullimi nga detyra për kryebashkiakun, pasi SPAK-u e ka një kompetencë të tillë. Dosja do të gjykohet nga kjo strukturë e re e dalë nga reforma në drejtësi duke qenë se është zyrtar i lartë. Kryebashkiaku reagoi dje duke e cilësuar videon si montazh dhe shantazh të klientëve, sipas tij të PD "që i largova pasi grabitën Bulqizën" (lexo këtu). 

Pavarësisht se e cilësoi si video-montazh, kryebashkiaku i Bulqizës, nuk sqaroi nëse është ai apo jo në videon që thotë se është shantazh nga PD dhe e montuar. Në studion e emisionit Repolitix deputeti Xhemal Qefalia u shpreh mbrëmë se pas publikimit të kësaj video do të vihet në lëvizje prokuroria e cila do të verifikojë të gjitha akuzat, të cilat nëse do të vërtetohen do sjellin shkarkimin e tij.

1579777236_kodi.jpg

Neni i Kodit Penal, qe percakton rastin kur nuk denohet per droge