TIRANE-Pas katër muajsh hetime prokuroria e Tiranës nuk ka mundur të bindte me prova gjykatën e Apelit për të mbajtur në burg Gjergji Cukalin, si personin e dyshuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali. Ndryshimi i masës së sigurisë për Cukalin nga arrest me burg në detyrim paraqitje është bërë këtë të mërkurë në ora 10:29 minuta nga gjykata e Apelit me trupë gjykuese Alaudin Malaj, Elbana Lluri dhe Gentian Shala.

ReprotTv ka siguruar dispozitivin e këtij vendimi që ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Cukalit nga qelia ku mbahej prej 4 muaj. Ish-efektivi policisë Bilai u ekzekutua teksa zbriti nga një makinë në zonën e Tiranës së Re pak para se të futej në banesë, ndërsa nga ai moment asnjë autor është në pranga dhe i dyshuari Cukali është lënë i lirë sot.

Në datë 14 qershor të këtij viti Report Tv e paralajmëroi një vendim të tillë, pasi burime për gazetaren Xhensila Kodra pohuan se gjurmët e fiksuara në disa pjesë të ndryshme të automjetit tip “Mercedez Benz CLS”, me ngjyrë blu të errët, që u gjet në afërsi të Mjull Bathores pak orë pas ngjarjes nga verifikimet e kryer ka rezultuar se nuk ekzistojnë të regjistruara në sistemin e territorit shqiptar. Lidhur me këtë fakt, thanë burimet asokohe, dyshimet janë se atentatorët mund të jenë shtetas të huaj e vrasës me pagesë.

Vrasja e Arben Bilalit
Arben Bilali u vra në datë 30 Janar. Pas vrasjes së dy vëllezërve, Bujar Bilali në vitin 1997 dhe Leonard Bilali në 2010-ën, në fillim të vitit në zonën e Selitës u ekzekutua me tre plumba, Arben Bilali ish-punonjës policie, duke e çuar në tre numrin e vëllezërve të vrarë. Ndonëse ishte ruajtur prej vitesh duke u ngujuar, ishte 14:30 kur ndaj Arben Bilalit, 50-vjeç u hap zjarr vdekjeprurës nga një automjet tip "Mercedens Benz" me ngjyrë të zezë dhe me targa të huaja.

Policia po heton pikërisht pistën e hakmarrjes nisur nga dinamkia e ngjarjeve kriminale prej 22 vitesh në Tiranë. Kjo pasi Bilali ka pasur konflikte me familjen Xhabafti në Tiranë. Konflikte të nisura në vitet 1994 dhe 1997, kur ka mbetur i vrarë Bujar Bilali si pikënisje e ngjarjeve kriminale në kryeqytet që është pasur me disa atentate të përgjakshme. Arben Bilali ka qenë punonjës policie te komisariati nr.2 në kryeqytet dhe pjesë e repartit të FNSH-së, detyra nga të cilat është larguar disa vite më parë.