Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), i ka komunikuar Aldo Avdylajt mbylljen e hetimeve për dosjen ‘Revanshi’ i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, një prej të cilave është dhe ‘sigurimi i kushteve për të vrarë’ ndaj Durim Bamit, vrasje e mbetur në tentativë. Për këtë ngjarje të akuzuar janë një grup i përbërë prej më shumë se 16 personash, të cilët planifikuan eliminimin e Durim Bamit, qëllim që nuk u arrit.
Në dosjen ‘Revanshi’, mes të pandehurve janë dhe Emiliano Shullazi, Astrit Avdylaj, Leonard Duka e Gjergji Cukali. Në total janë 14 të pandehur, të akuzuar për një sërë veprash të rënda penale por për Aldo Avdylaj për shkak të arrestimit të mëvonshëm, gjykimi pritet të bëhet veçuar nga të tjerët.
Për këtë dosje, u kërkua arrestimi i 51 personave dhe u zbulua bashkëpunimi i 7 grupeve kriminale në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fushë-Krujë, Kurbin, Shijak e Rrëshen. Për të ekzekutuar Durim Bamin, një të shumëkërkuar tashmë për drejtësinë, për llogari të Arben Nokës që e akuzonte për vrasjen e të vëllait, bashkëpunuan disa persona mes të cilëve anëtarë të familjes Avdylaj, Ervis Martinaj e të tjerë.
Një tjetër procedim penal të bazuar kryesisht në transkriptet e SKY ECC, ekspozojnë Aldo Avdylaj në një tjetër ngjarje, vrasjen e Edmir Bregut më 21 janar të vitit 2021 në Durrës. SPAK lëshoi disa masa sigurie mes të cilave edhe për Aldo Avdylaj, por që për disa kohë nuk u ekzekutua.
Alvo Avdylaj u arrestua 14 tetor në një apartament të marrë me qira në zonën e ‘Liqenit të Thatë’ në Tiranë. Sipas SPAK, Avdylaj ishte drejtues dhe koordinator i grupit kriminal, ndihmës në krim ishte Enea Kume, ndërsa ekzekutor Alfred Doka. Vrasja e Bregut thotë SPAK u krye me porosi të Astrit Avdylaj në shenjë hakmarrjeje, pasi më herët viktima kishte tentuar të vriste nipin e tij Aldo Avdylin. Në lidhje me këtë çështje, Aldo Avdylaj akuzohet për “vrasje me paramendim”, kryer për hakmarrje, “kryerje të veprave nga organizata kriminale” dhe “grupi i strukturuar kriminal”.
Komente










