PUKË- Policia ka shpallur në kërkim 30-vjeçarin Klevis Lleshi, i cili vetëm 2 ditë më parë arriti të arratiset gjatë një operacioni antikanabis në Pukë. Mbrëmjen e 22 gushtit, uniformat blu konstatuan një parcelë me kanabis në fshatin Kodërbojë, ku ishin kultivuar 120 bimë të dyshuara narkotike.

Gjatë operacionit, policia konstatoi një person të armatosur, i cili u largua menjëherë. Klevis Lleshi nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe u identifikua vetëm 2 ditë pas operacionit.

Një prej punonjësve të Policisë qëlloi në ajër, me qëllim paralajmërimin e tij për të ndaluar, por Lleshi, duke përfituar nga terreni i vështirë, mundi të largohet. Ai akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

“Gjatë kontrollit të territorit në fshatin Kodërbojë, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, më datë 22.08.2026, konstatuan një parcelë ku ishin kultivuar 120 bimë të dyshuara narkotike. Gjithashtu, në afërsi të parcelës, konstatuan një shtetas të armatosur, i cili, pasi ka konstatuar praninë e punonjësve të Policisë, është larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar.

Një prej punonjësve të Policisë qëlloi në ajër, me qëllim paralajmërimin e tij për të ndaluar, por personi i armatosur, duke përfituar nga terreni i vështirë, ka mundur të largohet. Në vijim të veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i tij, konkretisht shtetasi K. L., 30 vjeç, banues në fshatin Kodërbojë, Pukë, i cili u shpall në kërkim.

Ky shtetas dyshohet se kishte kultivuar bimët narkotike të konstatuara në parcelë dhe i ruante ato i armatosur me armë zjarri. Vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e 30-vjeçarit”, njofton Policia.

Ndërkohë, vetëm 5 ditë më parë në pranga ra edhe babai i 30-vjeçarit. Tonin Lleshi u arrestua për kultivim narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë