U arrestua 9 ditë më parë si autor i një atentati në Don Bosko, vdes në burgun e Fushë-Krujës Andrea Bregasi! 33-vjeçari pësoi arrest kardiak

U arrestua 9 ditë më parë si autor i një atentati në Don Bosko, vdes në burgun e Fushë-Krujës Andrea Bregasi! 33-vjeçari pësoi arrest kardiak

33-vjeçari Andrea Bregasi

FUSHË-KRUJË- Një 33-vjeçar, Andrea Bregasi i arrestuar vetëm 9 ditë më parë, ka ndërruar jetë në burgun e Fushë-Krujës. Burime për Report Tv bëjnë me dije se i riu dyshohet se ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak.

Bregasi ka ndërruar jetë në burgun e Fushë-Krujës dhe është dërguar në spital pa shenja jete. Ky është i burgosuri i dytë brenda 24 orëve që humb jetën në burgun e Fushë-Krujës. Vetëm një ditë më parë ndërroi jetë edhe një tjetër i burgosur, Afrim Shaqiri 39 vjeç, i cili ka qenë përdorues i lëndëve narkotike dhe trajtohej me metadon. Dyshimet edhe për të janë se ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrale.

Atentati i dështuar në Don Bosko

Bregasi u arrestua më 11 korrik 2024, si autor i një atentati të dështuar në Don Bosko të Tiranës në dhjetor 2023. Ai u kap vetëm 7 muaj pas atentatit në hyrjen e një pallati në Durrës, ndërsa në çantë iu gjet edhe një pistoletë me municion luftarak.

33-vjeçari dyshohet se ka qenë autor i atentatit në Don Bosko, ku më 14 dhjetor 2023 ka qëlluar në drejtim të makinës së tregtarit Rudolf Zefit, ndërsa me të ndodheshin edhe dy persona të tjerë. Grupi hetimor nuk e ka zbardhur dot motivin e këtij atentati, ndërsa ka pasur edhe dyshime se mund të kishte ngatërruar shënjestër.

Andrea Bregasi rezulton të ketë qenë i dënuar më herët për grabitje me armë në një argjendari. Ai është liruar në dhjetor 2022 nga burgu, ku ka vuajtur dënim për grabitje. Për arrestimin e tij si autori i atentatit të dështuar të ndodhur më 14 dhjetor 2023, policia kishte vënë në dispozicion 5 mijë euro për kokën e tij. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:25
33-vjeçari ndërroi jetë në burgun e Fushë Krujës, reagojnë ‘Burgjet’: Ishte përdorues i lëndëve narkotike, kishte nisur trajtimin me metadon

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pasi 33-vjeçari Andrea Bregasi ndërroi jetë në burgun e Fushë Krujës, pasi dyshohet se kishte pësuar një arrest kardiak.

Drejtoria e Burgjeve në një deklaratë të ndarë për mediat sqaron se i riu Bregasi ka qenë përdorues i lëndëve narkotike dhe kishte nisur trajtimin me metadon për rehabilitimin dhe përmirësimin e gjendjes së tij shëndetësore.

"Sot, më datë 20 Korrik 2024, shtetasi Andrea Bregasi, 33 vjeç, ka ndërruar jetë në Qendrën Shëndetësore Fushë Krujë për shkak të një arresti kardiak, në orën 14:32. I paraburgosuri ka shfaqur shqetësime dhe menjëherë rreth orës 14:15 është dërguar në ambulancë në Qendrën Shëndetësore Fushë-Krujë.

Shtetasi Bregasi ka qenë përdorues i lëndëve narkotike dhe kishte nisur trajtimin me metadon nga stafi mjekësor i IEVP-ve. Ky trajtim synonte të ndihmonte në rehabilitimin e tij dhe në përmirësimin e gjendjes së tij shëndetësore.

Andrea Bregasi është transferuar në IEVP-në Fushë Krujë më datë 12 Korrik 2024. Shtetasi Andra Bregasi, i biri i Hysen dhe Dhurata, i datëlindjes 09.12.1991, lindur dhe banues në Tiranë. Me gjendje civile beqar, me gjendje gjyqësore i dënuar, me arsim 8 klasë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare. Ky person ndodhet në IEVP Fushë Kruje me statusin e të paraburgosurit.

Me vendimin 454 datë 12.07.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës është dhënë masa e sigurimit “Arrest ne burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” te parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.

Gjithashtu me vendimin 1779 regj. Them datë 14.07.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është vendosur vazhdimi i masës së sigurimit personal “Arrest me burg” ndaj personit nën hetim Andrea Hysen Bregasi, me vendimin nr. 14 akti datë 05.01.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në të cilën ai akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” të parashikuar nga nenet 79 gërma “dh” – 22 dhe neni 278/1 i Kodit Penal", thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Burgjeve. 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase