Dy ditë pas arrestimit, gjykata e Tiranës ka liruar nga burgu kapitenin e ekipit të Partizanit, Alban Hoxha. Trupi gjykues ka vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitje dy herë në muaj për Hoxhën, i cili u arrestua ditën e diel në rrugën “George W Bush” pranë parlamentit pasi drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Futbollisti i kombëtares kishte konsumuar alkool mbi normat e lejuara dhe në testet e kryera rezultoi të ishte në masën 0.51 mg/l, rreth 0.30 mg për litër.

‘Gardiani’ i portës së kuqe ka qenë i pranishëm në gjykatë, ndërsa jashtë ambienteve ishte dhe partnerja e tij, këngëtarja Çiljeta Xhilaga. Momenti jo i mirë për ekipin e Partizanit vjen vetëm pak ditë para derbit me Tiranën, që do të zhvillohet ditën e premte. Edhe pse gjykata e liroi ende nuk dihet se cfarë qëndrimi do të mbajë ekipi i kuq për kapitenin e tij në prag të një sfide shumë delikate. Kujtojmë që Hoxha nuk ishte në fushë as në ndeshjen e fundit përballë Flamurtarit në Vlorë, pasi ishte i dëmtuar, ndërsa tashmë mbetet për t’u parë nëse drejtuesit do ta falin.