“I kërkoj falje vëllait tim Pirro Dhima dhe familjes sime”. Këto janë fjalët e para të Odhise Dhimës nga paraburgimi, pas arrestimit të tij në Greqi për skandalin e dopingut në peshëngritje. Në një deklaratë për televizionin grek MEGA, 58-vjeçari kërkon ndjesë për pozitën e vështirë në të cilën ka vendosur familjen, por mohon se i ka dhënë qëllimisht substanca anabolike djalit të tij të mitur. Ai jep shpjegime edhe për preparatet e sekuestruara në banesën e tij, duke pretenduar se shumica janë të ligjshme.

“I kërkoj falje vëllait tim Pirro Dhima dhe familjes sime, që i kam vendosur në një pozitë të vështirë për shkak të sjelljes sime të pamenduar. I kërkoj falje të gjithë qytetarëve që e kanë dashur Pirro Dhimën. Kam dy vjet që nuk merrem më me stërvitjen e sportistëve. Ndihem i shkatërruar nga dezinformimi kundër meje, kur arrijnë deri në pikën që të më akuzojnë se i kam dhënë qëllimisht anabolikë djalit tim të mitur. E vërteta, që del nga një vendim gjykate, është se është përdorur një suplement ushqimor i ligjshëm, në paketimin e të cilit nuk përmendej substanca anabolike. Kjo u pranua nga Këshilli i Lartë për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Sportive (ASEAD), i përbërë nga gjyqtarë të rregullt, i cili më atribuoi pakujdesi. Preparatet e gjetura në shtëpinë time janë të ligjshme, përveç disa prej tyre, për të cilat do të provoj se i përdor për arsye mjekësore" ka deklaruar ai

Odhise Dhima, ish-trajner i ekipit kombëtar të peshëngritjes, akuzohet për furnizim, ruajtje dhe trafikim të paligjshëm të substancave anabolike. Sipas hetimeve të autoriteteve greke, ai dyshohet se ka furnizuar sportistë të rinj me substanca të ndaluara, ndërsa mes rasteve që po shqyrtohen është edhe ai i djalit të tij të mitur.

Gjatë kontrolleve në banesën e 58-vjeçarit dhe në ambiente sportive në Atikë, policia sekuestroi 871 njësi preparatesh farmaceutike dhe substancash dopingu. U gjetën gjithashtu kartela sportistësh, shënime të shkruara me dorë dhe 15 mijë euro.

Dhima ka kërkuar kohë për të përgatitur mbrojtjen dhe pritet të paraqitet para hetuesit të hënën, më 16 nëntor


Lajmi kryesor:

Skandali i dopingut/ Pirro Dhima jep dorëheqjen si këshilltar pas arrestimit të vëllait, Ministria greke e Sportit s’ia pranon: S’ke lidhje me çështjen