U arrestua për gjobëvënie, kush është Lavdërim Tufa, që vrau Mirin e Xhikes (SKEDA)

Lavdërim Tufa i arrestuar sot me akuzën e kërcënimit të një biznesmeni në Tiranë për llogari të një italiani është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai u dënua me 20 vite burg për vrasjen e biznesmenit Fatmir Rama në 2003 ne Tiranë, por u lirua pas 11 vitesh.

Në mbrëmjen e datës 29 mars 2003, Fatmir Rama së bashku me të njohurit e tij, Ylli Kelmendi, Nazmi Çela, Kristaq Cani dhe Flamur Rrapaj, kanë qenë të ulur në një nga tavolinat e restorantit të katit të parë të kompleksit Kartodrom.

Ata, për shkak të njohjeve që kishin me njëri-tjetrin dhe të faktit që po zhvillohej ndeshja e futbollit e përfaqësueseve Shqipëri – Rusi, kanë qëndruar së bashku ditën e ngjarjes. Rreth orës 20:00, dy persona të maskuar janë afruar me shpejtësi dhe pa rënë në sy në pjesën e jashtme të lokalit kanë filluar të qëllojnë me armë në drejtim të tavolinës. Si rezultat i breshërisë së plumbave humbën jetën Fatmir Rama, Julian Durishti dhe Kristaq Cami.

Lavdërim Tufa u zbulua nga provat e gjetura në kapuçin me mbishkrimin “champion”, ku u gjet një njollë gjaku dhe një fije floku me gjatësi 7 mm. Ai u kap një vit pas vrasjes te Kartodromi, ndërsa ka ndjekur të gjitha shkallët e gjyqësorit, madje dënimi i formës së prerë u firmos vetëm në 2013, por në 2015 doli me kusht.

Gjykata në vitin 2006 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me burgim të përjetshëm. Apeli në vitin 2007 vendosi ta lërë në fuqi këtë vendim. Gjykata e Lartë, në shkurt të vitit 2009, prishi vendimin dhe e delegoi çështjen sërish në Apel, i cili në muajin maj 2009 vendosi të prishë vendimin e burgut të përjetshëm dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën e Rrethit Tiranë. Prokuroria i bëri rekurs këtij vendimi, por Gjykata e Lartë në shtator 2009 vendosi të mos e pranojë kërkesën.

Çështja kaloi në Gjykatën e Tiranës, e cila kreu një hetim të ri gjyqësor dhe e dënoi me 20 vite burg. Por ai arriti që gjatë kohës që ishte në burg të përfitonte disa herë ulje. Ndërsa gjyqtarja Enkeledi Hajro në datën 26 mars 2015, vendosi lirimin duke pezulluar pjesën e mbetur të dënimit prej 1 vit, 8 muaj e 10 (dhjetë) ditë burgim, për një kohë prove prej 4 (katër) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe i dënuari mos të kryejë vepër tjetër penale.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare