Drejtori i Spitalit të Fierit, Arben Voja, i arrestuar sot me urdhër të Prokurorisë së Fierit për ‘shpërdorim detyre’ në kohën kur drejtonte Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në këtë qytet, pas një hetimi për tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 44 mijë metrash katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës, ka pasur një karrierë të gjatë në postet drejtuese, por edhe probleme të mëparshme me drejtësinë.

Arben Voja është një zyrtar publik dhe drejtues institucional në qytetin e Fierit, i njohur për disa funksione të ndryshme në administratën publike.

Arben Voja ka mbajtur disa detyra të rëndësishme publike në Fier:
* Kryetar i ish-Komunës Seman.
* Drejtues i Drejtorisë Rajonale të Mbrojtjes së Territorit (DRMT) Fier.
* Drejtues i Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Fier.
* Drejtor i Zyrës Vendore të Kadastrës (ASHK) në Fier (emëruar ne maj 2022).
* Drejtues i Spitalit Rajonal të Fierit, detyrë në të cilën u emërua më 30 janar 2025 pas dorëheqjes së ish-drejtorit Roel Zoga.

Voja është përballur më herët me hetime nga Prokuroria e Fierit, kur ishte në krye të Agjencisë së Mjedisit dhe Kadastrës. Në dhjetor të vitit 2025, organi i akuzës njoftoi për përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të tij dhe 6 punonjësve të tjerë, për shpërdorim detyre në bashkëpunim. Çështja lidhej me shkelje në procedurat e dhënies së lejeve mjedisore.

Po ashtu, në maj të vitit 2023 kur ishte në krye të Kadastrës së Fierut, Voja është kallëzuar në SPAK nga Kadastra e Shtetit. Në kallëzim, Agjencia shtetërore e Kadastrës në Tiranë, theksonte se drejtori i Fierit dhe specialistja Shpresa Gjikondaj akuzoheshin për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh me një dëm ekonomik për shtetin shqiptar prej 9.5 milionë lekësh të reja.

Lidhur me këtë denoncim, reagoi asokohe edhe vetë drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Dallëndyshe Bici e cila theksonte se kushdo që përpiqej të përfitonte në mënyrë të paligjshme nga detyra në Kadastër, do të hetohej nga prokuroria.


Lajmi kryesor:

Arrestohet drejtori i Spitalit të Fierit, Arben Voja akuzohet për shpërdorim detyre kur drejtonte Kadastrën! Tjetërsuan 44 mijë m² tokë për një park fotovoltaik, urdhër arrest edhe për 3 të tjerë