Një sipërfaqe prej 44 mijë metrash katrorë tokë shtetërore në Fier dyshohet se është kthyer në pronë private dhe më pas u është shitur investitorëve të një projekti fotovoltaik. Hetimi i Prokurorisë së Fierit ka çuar në caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për drejtorin e Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja, ish-kreun e Njësisë Administrative Dërmenas, Dilaver Shyti, si dhe persona të tjerë.

Sipas të dhënave të hetimit, tjetërsimi i pronës dyshohet se ka ndodhur gjatë periudhës kur Arben Voja drejtonte Kadastrën e Fierit. Për kalimin e tokës nga pronë shtetërore në private dyshohet se janë përdorur akte të falsifikuara, ndërsa prona më pas u është shitur investitorëve me qëllim përfitimin financiar.

Masa e sigurisë “arrest në burg” është caktuar edhe për dy punonjëset e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, Fjorelo Bida dhe Arbina Jaupaj, si dhe noteren Anila Haxhiu.

Arben Voja, i cili aktualisht drejton Spitalin Rajonal të Fierit, është ndaluar nga autoritetet dhe është marrë në pyetje nga dy prokurorë.

Në maj të vitit 2023, Agjencia Shtetërore e Kadastrës e kishte kallëzuar Vojën në SPAK për dyshime për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, duke pretenduar një dëm prej 9.5 milionë lekësh për shtetin.

Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2025, Prokuroria e Fierit dërgoi për gjykim Vojën dhe gjashtë punonjës të tjerë për një çështje të veçantë, që lidhej me dyshime për shkelje në dhënien e lejeve mjedisore gjatë kohës kur ai drejtonte Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier-Vlorë-Gjirokastër.

Hetimet për tjetërsimin e 44 mijë metrave katrorë tokë vijojnë për të zbardhur mënyrën si është kaluar prona nga shtetërore në private dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.

Ky është vetëm hetimi i fundit që prek Kadastrën e Fierit për këtë vit.  Vetëm dy muaj më parë, në shtator 2026, gjykata la në burg dy ish-drejtues të tjerë të Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu dhe Bardhyl Kapaj, së bashku me ish-specialistin Piro Çela.

Ata u hetuan për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, pasi dyshohet se lejuan tjetërsimin e mbi 1,100 hektarëve tokë në zonën e Semanit në favor të ndërtuesve dhe përfituesve privatë. 

Gjatë hetimeve të shtatorit u sekuestruan sipërfaqe të mëdha toke dhe shuma të konsiderueshme parash (mbi 700 mijë euro)

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë