U dëmtua nga tërmeti, shtëpia muze e Aleksandër Moisiut e kyçur prej 2 vitesh, Ministria e Kulturës: Restaurimi në një moment të dytë

Pak hapa larg Amfiteatrit, këto ditë vizitorët e Durrësit, mund të shikonin të vetmen banesë me çardak të zonës, mbështetur në muret bizantine. Por, pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, objekti monument kulture i shekullit të XIX-të, i është vendosur dryni. Skena në dhomat e Muzeut Etnografik, e ato dedikuar aktorit Aleksandër Moisiu, aty ku kaloi fëmijërinë e hershme, i ngjajnë tragjedive shekspiriane që ai interpretoi në të gjallë.

“Objekti është restauruar për herë të fundit në vitin 1983 vit, kur në katin e dytë u ngrit Muzeu Etnografik me veshje të trevave të Durrësit dhe prej atëherë nuk ka pasur ndërhyrje të tjera”, thotë specialistja Alketa Tragaj.

Portreti në allçi i Aleksandër Moisiut qëndron i rrëzuar për tokë i shkëputur nga kolona ku gdhendet emri i tij. Ngushëllimi i Qazim Kërtushës, mund të jetë tek kopja e vendosur në Vjenë.

Dikur me tisin e melankolisë së gdhendur, e hijeshinë e aktorit ndërkombëtar, prej çardakut, “Moisiu” ftonte vizitorët të zbulonin rrugëtimin e tij artistik e jetësor, ndërsa prej dy vitesh pret një dorë që ta ngrejë e t’i rikthejë atij e shtëpisë dinjitetin e munguar.

“Mbas verifikimeve të shumta që janë bërë, duke filluar që nga 2019-ta deri në ditët e sotme, nga specialistë të Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Durrës, por edhe specialistë të huaj. Është krijuar një projekt restaurimi, që presim nga momenti në moment të zbatohet”.

Muret e objektit monument kulture janë të dëmtuar. Pasuria në Muzeun Etnografik me kostumet tipike tradicionale e punimet artizanale po ashtu është e përçudnuar, jo vetëm nga tërmeti, por edhe neglizhenca institucionale.

“Këtë projekt e ka hartuar dhe e ndjek Ministria e Kulturës. Kjo ministri ka njoftuar se projekti është hartuar. Është përzgjedhur edhe subjekti dhe pritet që të nisë puna”

Restaurimi i objektit ende nuk ka një datë të caktuar, për fillimin e punës. Banesa është pjesë e fondit “Ambasador”, së bashku me Torrën Veneciane dhe Hamamin Turk. Por, ndërsa banorët, presin që Ministria e Kulturës e Bashkia Durrës të ndërmarrin hapa për zbatimin e punës, shpresat janë tek projekti “EU4Culture”, e cila siç shpjegon ministria e Kulturës për televizionin, po u jep përparësi monumenteve që nuk kanë pronësi private.

“Duke qenë se ndërtesa e Muzeut është në pronësi private, EU4Culture po avancon me ato objekte, që nuk paraqesin të tilla vështirësi. Dhe Muzeu Etnografik është lënë për një moment të dytë, duke qene se e gjithë ajo zonë aty do përfshihet në një plan më të gjerë, TID Durrës. Muzeu Etnografik Durrës është njohur si pronësi private dhe shteti ka paguar qiranë për aktivitetin e ushtruar aty. Pra, këtu nënkuptohet bashkia dhe zyrat rajonale të trashëgimisë në Durrës. Për momentin nuk ka ndonjë avancim në komunikim me pronarët dhe Bashkinë Durrës”  thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës.

Nuk ka një përgjigje për banorët e Durrësit, e as për vizitorët jashtë tij. Kultura e arkitektura tipike e zonës do të vijojë të jetë e kyçur, për një afat të papërcaktuar. Ndërkaq përtej kangjellave, kalimtarët mund të pikasin ndërtesën,  pusin e vjetër në oborr e shkallët e drunjta. Shumëçka mbetet brenda, do t’i humbasë shikimit të tyre, por jo, vonesa e shtetit, për rimëkëmbjen e kësaj trashëgimie të qytetit bregdetar.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbërori: 13/05/2022 16:08

    Prioritet është gllabërimi i Butrintit që duhet vjedhur e mjelur për vete, pastaj këto të tjerat le të prishen s’ka fett …!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Pakistan/ 82 njerëz të vrarë në 3 ditë si pasojë e dhunës sektariane

Pakistan/ 82 njerëz të vrarë në 3 ditë si pasojë e dhunës sektariane