Gjykata e Posaçme ka konfirmuar këtë të martë masën “arrest në burg” për Moisi Habilaj, nën akuzë për trafik droge. Habilaj ka kyçur gojën përpara gjyqtares Elsa Ulliri, ndërsa kjo e fundit vendosi të linte fuqi vendimin e dhënë më herët nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda.

Habilaj, i cili ishte shpallur në kërkim  u arrestua më 13 qershor në një beach bar në pronësi të familjarëve të tij në Borsh, ku qëndronte prej kohësh.

Ai është shpallur fajtor për trafikim droge në 4 episode gjatë viteve 2013-2017 në Shqipëri dhe Itali. Habilaj u dënua me 15 vite burgim nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i ulet në 10 vite.

Ndërkohë në vitin 2021, Gjykata e Apelit e Katanias në Itali e dënoi Moisi Habilajn me 15 vite e 5 muaj burg. Së bashku me Habilajn u dënuan edhe Meridian Sula, Nezar Seiti, Antonino Riela, Vinccenso Spanpinato, Angjelo Buzaka, Xhanluka Pasavanti dhe Xhuzepe Greko.

Por vendimi që e dënoi Habilajn me 15 vite e 5 muaj burg erdhi pasi më herët Gjykata kishte ndryshuar masën e sigurisë duke e nxjerrë nga qelia në "arrest shtëpie" Habilajn. Më pas kur u vendos dënimi i tij, Habilaj nuk u gjet në banesën e tij në adresën që kishte dhënë në Raguza të Italisë, e cila ishte në pronësi të vëllait. Ai ishte arratisur.

I lidhur me grupin e trafikut të drogës të drejtuar nga Moisi Habilaj, rezultoi të ishte edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Tahiri u dënua më 4 shkurt 2022 me 5 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 3 vite e 4 muaj burg. Ish-ministri qëndroi përafërsisht rreth 16 muaj burg qeli.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë